Ajaxi i Italisë: Përralla e Atalantas po vjen në Ligën e Kampionëve

  • 15 May 2019 - 09:34
Ajaxi i Italisë: Përralla e Atalantas po vjen në Ligën e Kampionëve

Skuadra e Gian Piero Gasperinit është në pozitën e katërt në tabelën e Serisë A dhe të mërkurën, ata e kanë mundësinë që ta fitojnë një trofe për herë të parë që nga viti 1963.

Përderisa tifozët e Juventusit kishin mbetur të tronditur nga eliminimi në Ligën e Kampionëve që ua shkaktoi Ajaxi, Fabio Capello nuk ishte habitur. Ai veçse e kishte parë Juventusi duke u tronditur nga një skuadër e tillë.

“Kundër Ajaxit, Juventusi pësoi në të njëjtën mënyrë, identike të njëjtë, ashtu si u eliminua nga Atalanta në Kupën e Italisë në janar”, kishte thënë ish-trajneri i Milanit.

“Mund të themi se gjithçka filloi aty, sepse skuadra e Gasperinit mbrohen një-kundër-një dhe Juventusi nuk është i mësuar me këtë nivel të presionit gjatë gjithë ndeshjes. Që të dy skuadrat kundërsulmojnë me topin në tokë, ata e sulmojnë të gjithë fushën me lojtarët të shumtë dhe nuk të lënë hapësirë”.

“Ajo që e kemi parë këtu në Torino kishte ndodhur më parë në Bergamo”.

Në të vërtetë, atë natë të ftohte dimri në stadiumin “Atleti Azzuri d’Italia”, Atalanta jo vetëm që i dha fund shpresave të Juventusit për titullin e pestë radhazi të Kupës së Italisë, por i shkatërroi ata, duke triumfuar 3:0 në çerekfinale.

Ashtu siç zbuloi anësori Papu Gomez më vonë, ata gjithmonë kishin qenë një grup i bashkuar i lojtarëve – “Unë kaloj më shumë kohë me këta djelmosha sesa me familjen time” – barazimi kundër Romës tri ditë më parë kishte qenë kyç.

Atalanta kishte qenë duke pësuar disfatë me rezultat 3:0 në pjesën e parë kundër Romës, mirëpo pastaj arriti ta shpëtojë një pikë. Pas kësaj, asgjë nuk i dukej e pamundur djelmoshave të Gasperinit – as triumfi kundër Juventusit që po e ndiqte titullin e pestë radhazi të Kupës së Italisë.

Që nga atëherë, Atalanta ka pësuar disfatë vetëm dy herë në të gjitha garat dhe është e pamposhtur që 11 ndeshje në Serie A. Kjo ka bërë që ata të ngrihen në pozitën e katërt në tabelën e Serisë A, tri pikë para Milanit dhe Romës me dy ndeshje të mbetura deri në fund.

Kualifikimi në Ligën e Kampionëve tani duket mundësi reale për skuadrën që sipas presidentit të klubit, Antonio Percassi, do të kishte qenë jashtëzakonisht shumë e lumtur me kualifikimin në Ligën e Evropës në fillim të këtij sezoni.

Ky synim do të mund të realizohet qysh mbrëmjen e së mërkurës, nëse ata arrijnë ta mposhtin Lazion për ta fituar për herë të parë në histori Kupën e Italisë, dhe trofeun e parë që nga viti 1963.

Lazio ta ketë epërsinë e të qenit vendas, pas që ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Olimpico”, por kjo nuk u erdhi atyre aspak në ndihmë para dhjetë ditëve, kur këto dy skuadra u përballen në ligë.

Lazio, që gjithashtu po e kërkon një vend në top katërshe, kaloi në epërsi pas vetëm tre minutave lojë, mirëpo Atalanta iu përgjigj me tri gola dhe i mori tri pikët e ndeshjes pas fitores 3:1.

Megjithatë, askush nuk ishte habitur. Rezultatet e taktikave të Gasperinit kanë qenë të mahnitshme. Atalanta është skuadra më e mirë për ta shikuar në Itali. Ata janë golashënuesit më të mirë të Serisë A, me 73 gola, katër më shumë sesa kampioni Juventus.

Kjo nuk është skuadra e vetme e mrekullueshme që Gasperini e ka ndërtuar në Bergamo që kur erdhi  në vitin 2016. Atalanta përfundoi në pozitën e katër edhe në sezonin e tij debutues me Atalantan. Përderisa lojtarët kanë ndryshuar, filozofia e Gasperinit mbetet e njëjtë dhe ajo është çelësi i suksesit të skuadrës italiane.

“Ajaxi ka më shumë cilësi – shikojeni çfarë ka bërë në Evropë – por ne i ndajmë të njëjtat principe në futboll. Unë po flisja me kapitenin e Ajaxit, Matthijs de Ligtin, për këtë gjë kur ishim me Kombëtaren e Holandës”, ka thënë mbrojtësi i Atalantas, Hans Haterboer.

 Pas ndeshjes së mesjavës kundër Lazios në Kupën e Italisë, Atalanta do të përballet me Juventusin për Serie A, para se ta mbyllë sezonin kundër Sassuolos. Edhe pse Atalanta do të jetë mysafirë në të tirja këto ndeshje, Gasperini nuk është i shqetësuar: “Unë besoj plotësisht se ke më shumë gjasa të marrësh rezultate të mira nëse luan futboll të mirë”.

Në këtë mënyrë e fiton edhe zemrën e njerëzve. Rreth 20 mijë tifozë të Atalantas priten të jenë të pranishëm në Olimpico për finalen e Kupës së Italisë. Pecassi e komentoi këtë gjë: “Kjo i bie që gjysma e Bergamos të jetë duke shkuar në këtë finale”.

Kështu që Lazio do t’i shohë ata duke ardhur. Nëse do të arrijnë t’i ndalin apo jo, kjo është një temë tjetër. 

(Kosova Sot Online)