Sarri rikthehet në modë për stolin, por Milani pëlqen edhe një tjetër nga Seria A

  • 16 May 2019 - 12:12
Sarri rikthehet në modë për stolin, por Milani pëlqen edhe një tjetër nga Seria A

Ndonjëherë dashuritë e vjetra rikthehen! I tillë është rasti mes Milanit dhe Mauricio Sarrit, trajnerit që duhej të zbarkonte në radhët e kuqezinjve në verën e vitit 2015, por pasi ish-administratori Adriano Galiani e kishte gjetur akordin, ishte një shpërthim surprizë i “Kavalierit” Silvio Berluskoni ai që e bëri tratativën të sfumojë.

Kjo, për arsyen se ish-padronit të “Djallit” nuk i pëlqente fakti që Sarri vishej gjithmonë me tuta gjatë ndeshjeve, por shkoi edhe më tej duke e quajtur komunist, në lidhje me bindjet e ndryshme politike që ndanin. Por tani Berluskoni nuk është më president i Milanit dhe gjërat kanë ndryshuar, ashtu sikurse mund të ndryshojë edhe e ardhmja e Sarrit, të cilin nga Anglia e quajnë të shkarkuar, vendim që do t’i konfirmohet pas finales së Ligës së Europës, më 29 maj.

Figura e trajnerit të Çelsit ka kaluar në krye të listës së dëshirave, por jo të Leonardos dhe Maldinit, por në atë të administratorit Gazidhis, që së fundmi po ecën kundër rrymës së dy drejtuesve të tjerë. Sipas afrikano-jugorit, Sarri është një trajner që ndryshe nga Gatuzo do të japë një identitet më të qartë loje, por punon mirë edhe me të rinjtë.

Image

Gjithsesi, në orët e fundit po përflitet edhe një emër i ri, Marko Xhampaolo. Ky i fundit e ka lajmëruar dorëheqjen nga Sampdoria prej 3 javësh dhe puna e tij e mirë në Xhenova nuk ka kaluar pa u vënë re në sytë e Gazidhisit, i cili po e vlerëson seriozisht këtë mundësi, duke qenë se edhe nga ana financiare, Xhampaolo do të përbënte një investim pozitiv, pasi nuk fiton më shumë se 1.3 milionë euro në sezon.

(Kosova Sot Online)