Rashica te gjiganti gjerman? Reagon drejtorit sportiv i Werderit

  • 18 maj 2019 - 10:41
Rashica te gjiganti gjerman? Reagon drejtorit sportiv i Werderit

Frank Bauman, drejtori sportiv i Werder Bremen, ka këshilluar Milot Rashicën që të mos ndërrojë ambient. 22-vjeçari lidhet me shumë klube pas sezonit mbresëlënës në Bundesliga.

E nisi sezonin 2018/19 nga stoli, por do ta përfundojë si titullar dhe si një ndër lojtarët më të mirë të Werder Bremen.

Rashica, që deri në dhjetor ka pasur shumë pak minuta, është shpërblyer nga trajneri Florian Kohfeldt, që në vitin 2019, e ka shndërruar atë në protagonistin dhe lojtarin më të rëndësishëm për Werderin.

Kjo ka bërë që klube të ndryshme të interesohen për 22-vjeçarin, të paktën sipas mediave gjermane.

Ditë më parë gazeta e njohur gjermane “SPORT BILD” raportoi se Rashica mund të transferohet në RB Leipzig, por këtë e ka demantuar drejtori sportiv i klubit, Frank Bauman.

Ai ka thënë se në adresën e Werderit nuk ka asnjë ofertë për 22-vjeçarin, teksa beson se talenti i Kombëtares së Kosovës gjendet në vendin e duhur nëse do që të rritet edhe më shumë si lojtar.

“Jam në dijeni të lajmeve që po qarkullojnë, por për momentin nuk na ka kontaktuar asnjë klub ose agjent në lidhje me këtë çështje”, tha ai.

“Miloti ndihet shumë mirë këtë dhe ne po kujdesemi për të”.

“Besoj se të gjithë biem dakord që ai mund të zhvillohet akoma më shumë dhe te Werderi është ambienti i duhur për të, ndodhet në duar të sigurta”.

“E ardhmja do të sqarojë gjithçka, Miloti është ende shumë i ri dhe nëse do të vazhdojë të luajë në të tilla niveli, interesi për të do të vazhdojë të rritet”, tha mes tjerash drejtori sportiv Bauman.

Në sezonin 2018/19, Rashica është paraqitur në 29 ndeshje, ka shënuar 11 gola dhe ka dhuruar edhe 6 asiste.

(Kosova Sot Online)