FFK: Ndryshimet po vijnë

  • 22 May 2019 - 13:19
FFK: Ndryshimet po vijnë

Feronikeli e ka fituar titullin e kampionit të Kosovës në një kampionat që po vlerësohet si më i miri në 20 vjetët e fundit.

Mirëpo, të premten do të zhvillohet finalja e Digitalb Kupës në mes Feronikelit dhe Trepçës ’89 dhe vetëm një javë më vonë do të zhvillohen ndeshjet e barazhit, me të cilat edhe mbyllet kampionati, i cili u karakterizua me garë të fortë, por në pjesën e fundit pati edhe zhurma të ndryshme.

Sidoqoftë, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e vlerëson lartë këtë kampionat, i cili ishte mjaft sfidues për FFK-në me kryetar Agim Ademin, i cili e kishte zëvendësuar Fadil Vokrrin e ndjerë.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së konstatoi se ky ishte kampionati më joshës, cilësor me një rivalitet të madh sportivë si për titull kampioni ashtu edhe në luftën për mbijetesë. Ky kampionat u shqua edhe për organizim më të mirë të klubeve”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Shtëpia e futbollit kërkon që ndeshjet e barazhit të rrjedhin në frymën e “Fair Play’t” e po ashtu edhe finalja e Kupës në mes Feronikelit dhe 89-shit.

FFK  ka diskutuar për gjetjen e modaliteteve rreth sistemit të ri të garave për të gjitha ligat e futbollit në Kosovë për edicionin 2020/2021. “U vendos që të merren opinione dhe mendime edhe të njohësve të futbollit”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)