Mbappe, ja pse nuk është i lumtur te PSG-ja

  • 22 May 2019 - 13:26
Mbappe, ja pse nuk është i lumtur te PSG-ja

Një “cunam” e kërcënoi PSG të dielën e kaluar, kur Mbappé (20 vjeç) la të kuptohej se një projekt larg Parisit mund ta joshë atë. "Mendoj se është koha për të marrë më shumë përgjegjësi. Në Paris ndihem i lumtur, por ndoshta e shoh veten edhe në ndonjë vend tjetër, me një projekt të ri”, - paralajmëroi ai, kur mori çmimin e lojtarit më të mirë në Ligue 1.

Klubi parizien u befasua dhe në më pak se 24 orë ndërhyri që ta stabilizonte situatën me një deklaratë, në të cilën siguronte tifozët se 20-vjeçari do të qëndrojë edhe sezonin e ardhshëm.

Largimi i tij këtë verë është i komplikuar dhe asnjë ofertë, edhe prej 300 milionë eurosh, nuk do ta tundojë PSG. Sidoqoftë, njerëz pranë Mbappé hedhin dritë mbi shkaqet e palumturisë së talentit francez për “Le Parisien”.

Fjalët e sulmuesit të ri interpretohen si një sinjal për klubin, që të merren parasysh, pas një sezoni tjetër, në të cilin Neymar ka marrë shumicën e vëmendjes dhe privilegjeve.

Image

Mbappé dëshiron të rritet më një hap në hierarkinë e klubit dhe kërkon vëmendjen e drejtuesve, sepse ndien se lojtarë si Cavani apo Di María kanë më shumë peshë. Ai nuk do të pranojë të qëndrojë në hijen e Neymar, pasi beson se e ka treguar sa vlen, edhe pse është vetëm 20 vjeç.

Mbappé luajti të dielën në ndeshjen e Ligue 1, ku shënoi dopietë në fitoren 4-0 dhe vijon betejën me Leo Messin për fitimin e “Këpucës së Artë” në kontinent. Kampioni i botës me Francën ishte i mërzitur që trajneri Tuchel e aktivizoi në të majtë dhe jo përpara portës kundërshtare, ku do të ishte më afër golit. Këto janë gjeste, që e bëjnë atë të rishikojë të ardhmen, duke e ditur se klubet gjigante të Evropës do të bënin oferta të çmendura për të.

(Kosova Sot Online)