Mustafi i komenton lajmet se Arsenali do ta shesë

  • 23 May 2019 - 12:17
Mustafi i komenton lajmet se Arsenali do ta shesë

Qendërmbrojtësi Shkodran Mustafi i ka mohuar lajmet se Arsenali do ta shesë atë gjatë afatit kalimtar të verës, duke thënë se ai është lojtar i Arsenalit dhe ka kontratë deri në vitin 2021.

Goal.com raportoi dje se trajneri Unai Emery është i gatshëm ta shesë Shkodran Mustafin, pasi qendërmbrojtësi që e përfaqëson Gjermaninë i ka bërë disa gabime të mëdha këtë sezon.

“Nuk e di se nga po vijnë këto mesazhe, është qesharake. Unë kam qenë këtu për pothuajse tre vjet tani dhe vetëm gjashtë muaj pasi erdha u spekulua se do të largohem”, ka thënë 27-vjeçari për Kicker.

“Unë jam lojtar i Arsenalit. Kam kontratë deri në vitin 2021 dhe nuk ka lajme të tjera. Nëse do të ketë lajme të tjera, unë do të ju lajmëroj dhe nuk do të fshihem”.

Mustafit i kanë mbetur edhe dy vjet në kontratën e tij dhe Goal.com raporton se Arsenali e sheh këtë verë si kohën e përsosur për të përfituar edhe financiarisht nga ai, i cili nuk e ka dëshmuar vlerën e tij në Emirates përkundër çmimit të tij të lartë, 35 milionë funte.

“Topçinjtë” janë të vetëdijshëm se ata nuk do të arrijnë ta gjejnë ndonjë klub që është i gatshëm të shpenzojë po aq shumë para për fituesin e Kupës së Botës, mirëpo edhe një ofertë rreth 20 milionë funte do t’i bindë londinezët.

Për Mustafin kanë shprehur interesim disa klube nga Italia, mirëpo asnjëri prej tyre nuk besohet se do të mund t’i përballojë kërkesat e futbollistit për pagë. Kjo mund të bëjë që Arsenali ta ketë edhe më të vështirë ta largojë Mustafin.

Por, transferimi i Mustafit shihet si shumë i rëndësishëm, pasi që Emery dëshiron ta shtojë edhe një tjetër qendërmbrojtës në skuadrën e tij. Njëri ndër lojtarët më të përfolur për zëvendësimin e Mustafit është Willian Saliba i Saint-Etienne.

(Kosova Sot Online)