Presidenti i Bayern: Ai duhet të largohet, të kërkojë skuadër të re
Boatengut i është treguar dera pas tetë viteve në Bayern. Presidenti i Bayern Munich, Uli Hoeness, është shprehur qartë për sa i përket situatës së Jerome Boateng.
Hoeness e ka këshilluar 30-vjeçarin që të largohet për një aventurë te re. Boateng ishte afër transferimit në PSG vitin e kaluar, por në fund mbeti te klubi nga “Allianz Arena” dhe gjatë gjithë sezonit, ishte vetëm rezervist – bëri 28 paraqitje në të gjitha garat.
“Do t’i këshilloja të largohet nga klubi sepse mendoj se ka nevojë për një sfidë të re. Ai duket si hija e vetvetes kështu që do t’i këshilloja si një mik, të kërkonte një skuadër të re. Dera për të nuk është e mbyllur, pasi ai ka akoma një kontratë me ne,” është shprehur Hoeness.
Boateng është pjesë e Bayern Munich që nga viti 2011. Ai ka bërë 286 paraqitje për kampionin e Gjermanisë, ka realizuar 8 gola.
(Kosova Sot Online)