Barack Obama e këshillon Messin

  • 29 maj 2019 - 10:25
Barack Obama e këshillon Messin

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ka thënë se Argjentina ka dështuar ta fitojë Kupën e Botës kohën e fundit, përkundër që e ka Lionel Messin, pasi që lojtarët e Kombëtares nuk luajnë si ekip.

57-vjeçari e dha një intervistë të rrallë për futboll gjatë kohës sa ishte në Konferencën EXMA në Bogota. Aty ai i ofroi mendimet e tij për Lionel Messin, i cili konsiderohet nga shumë tifozë si futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve.

Messi dhe Argjentina dështuan në tentimin për ta fituar titullin e Kupës së Botës 2018, ku u eliminuan qysh në rundin e parë të fazës eliminatore, kundër Francës, që në fund u shpall kampione e botës.

Ky dështim erdhi pasi gjiganti i Amerikës së Jugut dhe dy-herë kampioni i botës e humbi finalen e vitit 2014. Përkundër paraqitjeve mbresëlënëse në ndeshjet e mëparshme, ai nuk e dëshmoi më të mirën e tij në finale.

Këto dështime bëjnë që Argjentina të mos e ketë fituar trofeun më prestigjioz në futbollin ndërkombëtar që nga viti 1986, përkundër që në skuadër është golashënuesi i tyre më i mirë i të gjitha kohëve dhe pesë-herë fituesi i Topit të Artë, Messin.

“La Albiceleste” kanë dështuar edhe në dy finale radhazi të Kupës së Amerikës. Ata nuk kanë fituar asnjë titull të madh që nga viti 1993.

Obama – i cili kishte shërbyer si president i SHBA-së nga viti 2009 deri në vitin 2017, para se të zëvendësohej nga Donald Trump – i diskutoi këto probleme të Argjentinës të martën.

“Edhe njerëzit të cilët ne i konsiderojmë gjeni punojnë me njerëzit e tjerë në mënyrë që ta zhvillojnë stilin e tyre. Në Argjentinë, edhe pse Messi është i mrekullueshëm, ata kanë probleme ta fitojnë Kupën e Botës”, ka thënë Obama.

“Këshilla ime për njerëzit e rinj është që ne duhet t’i përshëndesim ata pak njerëz që arrijnë gjëra të mrekullueshëm të vetëm”, shtoi ish-presidenti.

Komentet e Obamës vijnë përderisa Messi dhe Argjentina përgatiten për Kupën e Amerikës, që zhvillohet muajin tjetër në Brazil. Argjentinës i ka rënë në shorti të garojë në Grupin B, përkrah Kolumbisë, Paraguait dhe Katarit.

(Kosova Sot Online)