Rrëfimi i gruas që po e akuzon Neymarin për përdhunim

  • 06 June 2019 - 14:44
Rrëfimi i gruas që po e akuzon Neymarin për përdhunim

Brazilianët dëgjuan nga gruaja që po e akuzon Neymarin për përdhunim për herë të parë të mërkurën në mbrëmje. Në një intervistë për një televizion brazilian, Najila Trindade Mendes de Souza, e ka rrëfyer versionin e vet të ngjarjes në një hotel në Paris.

Najilja Trindade u paraqit në televizionet braziliane vetëm një orë para se Neymari ta niste ndeshjen miqësore me Brazilin kundër Katarit. Në intervistën e saj, Najila tha se Neymari ishte sjellë plotësisht ndryshe me të në krahasim me sjelljen online.\

“Ajo që ndodhi ishte agresivitet e kombinuar me dhunë”, ka thënë Najila në intervistën e dhënë për SBT, e cila do të publikohet e plotë të hënën.

Najila, e cili punon si modele, thotë se asaj i kishte pëlqyer Neymari në fillim dhe dëshironte të kryente marrëdhënie me të. Superylli i futbollit ia pagoi asaj një biletë aeroplani për ta sjellë nga Brazili në Paris. Por, ajo pretendon se gjërat ndryshuan në mënyrë drastike në Paris.

“Ai ishte agresiv, plotësisht ndryshe nga djaloshi që e kishte njohur përmes mesazheve. Pas disa puthjeve e përkëdheljeve, ai filloi të më godasë… dhe pastaj filloi të më lëndojë shumë dhe unë i kërkova që të ndalet sepse më lëndonte”.

Sipas Trindade, Neymari kishte kërkuar falje, por pastaj kishte vazhduar duke e goditur gjatë kohës sa ata po kryenin marrëdhënie seksuale.

Neymari i ka mohuar të gjitha këto akuza, por ka qenë babai i futbollistit ai që ka kërkuar që të publikohen të gjitha videot e plota. Këtë kërkesë ai i ka bërë policisë pasi që është i sigurt se Neymari s’ka bërë asgjë, por pretendon se Najila po e bën këtë akuzë për të marrë para.

(Kosova Sot Online)