Hazard: 100 milionë euro plus shtesa

  • 07 June 2019 - 10:12
Hazard: 100 milionë euro plus shtesa

Transferimi i Eden Hazardit në Real Madridi mund të zyrtarizohet gjatë orëve në vazhdim, pasi që marrëveshja e madrilenëve me Chelsean është pothuajse e finalizuar.

Klubet nuk janë pajtuar ende për formulën e saktë të shtesave, mirëpo negociatat mes tyre kanë avancuar shumë shpejt, përkundër kishin filluar zyrtarisht vetëm pas triumfit të Chelseat në finale të Kupës së Evropës.

Çmimi prej 130 milionë eurove ishte vendosur në kokën e Hazardit nga londinezët për shkak të paraqitjeve të tij mbresëlënëse gjatë sezonit, përkundër që kontrata e tij me Chelsea skadon verën tjetër.

Madridi i filloi negociatat me ofertë prej 80 milionë eurove dhe në fund pritet që të detyrohet t’i paguajë 100 milionë euro për belgun. E gjitha që ka mbetur tani është finalizimi i shtesave, si për shembull Real Madridi të duhet t’ia paguajë Chelseat pesë milionë euro kur Hazardi i bën 50 paraqitje me “Los Blancos” apo e fiton ndonjë trofe.

Por, Hazardi nuk do të prezantohet para tifozëve në stadiumin “Santiago Bernabeu” deri sa Belgjika t’i përfundojë ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian. Belgjika do të përballet me Kazakistanin të shtunën dhe me Skocinë të martën.

Hazardi e kishte bërë të ditur dëshirën e tij për të luajtur për Real Madridi shumë kohë më parë. Ai ka thënë se e ka shijuar jetën në Londër, mirëpo gjithmonë ka ëndërruar të luajë për Real Madridin.

Zinedine Zidane ka qenë gjithashtu një tifoz i madh i Hazardit për një kohë të gjatë dhe prezenca e francezit në pozitën e trajnerit e kishte nxitur edhe më shumë dëshirën e Hazardit për t’iu bashkuar skuadrës së “Los Blancos”.

(Kosova Sot Online)