Çfarë ndodhi me dy futbollistët serbë të Malit të Zi që s’pranuan të luajnë kundër Kosovës?

  • 08 June 2019 - 09:59
Çfarë ndodhi me dy futbollistët serbë të Malit të Zi që s’pranuan të luajnë kundër Kosovës?

Pasi u bë e ditur se Federata e Futbollit të Malit të Zi ka vendosur ta shkarkojë Ljubisa Tumbakovicin nga pozita e trajnerit të ekipit kombëtar, gazeta beogradase Informer raporton se dy futbolllistëve serbë, të cilët gjithashtu nuk pranuan të luajnë kundër Kosovës, u është dhënë një mundësi e dytë.

Pas presionit të madh politik nga Beogradi, trajneri serb Ljubisa Tumbakovic dhe ndihmës trajneri i parë, Sasa Jankovic, u tërhoqën pak orë para ndeshjes kundër Kosovës, së bashku me dy futbollistë të tjerë – Filip Stojkovic dhe Mirko Ivanic.

Mali i Zi u udhëhoq në këtë ndeshje, që përfundoi me rezultat 1:1 në Podgoricë, nga ish-futbollisti i kësaj Kombëtareje, Miodrag Dzudovic, ndërsa pak orë pas ndeshjes, Tumbakovici u shkarkua nga puna e tij.

Për dallim nga fati i trajnerit, gazeta beogradase, Informer, raporton se Filip Stojkovicit dhe Mirko Ivanicit u është dhënë edhe një mundësi e dytë nga Federata e Futbollit e Malit të Zi. Një gjë e tillë kuptohet edhe nga deklarata e lëshuar nga Federata malaziase.

“Anëtarët e Bordit Ekzekutiv e shprehën keqardhjen e tyre për presionin nga disa rrethe për të mos i lejuar Filip Stojkovicin dhe Mirko Ivanicin të luajnë kundër Kosovës dhe që gjërat josportive në këtë rast fituan kundër futbollit”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga Federata malaziase.

 “Anëtaret e Bordit Ekzekutiv morën vendim unanim për ta zëvendësuar Ljubisa Tumabkovicin për shkak të vendimit për të mos e drejtuar skuadrën e Malit të Zi, që ishte një befasi e padëshiruar dhe një shkelje e obligimeve profesionale të kontratës”. 

(Kosova Sot Online)