Platini dhe avokati i tij sqarojnë çfarë ndodhi në stacionin policor

  • 19 June 2019 - 12:05
Platini dhe avokati i tij sqarojnë çfarë ndodhi në stacionin policor

Avokati i Michel Platinit e ka konfirmuar se ish-presidenti i UEFA-s është liruar nga policia franceze, ndërsa vetë Platini sqaroi se çfarë lloj pyetjesh iu bënë në stacionin policor, ku u mbajt për rreth 15 orë.

Ish-presidenti i UEFA-s dhe legjenda e futbollit, Michel Platini, u lirua sot nga policia franceze, që është duke i hetuar akuzat për korrupsion gjatë vendimit për dhënien e të drejtës së organizimit të Kampionatit Botëror 2022 Katarit.

63-vjeçari, i cili e mohon të ketë bërë ndonjë gjë të gabuar, u morr për intervistim të martën në Paris, nga zyra kundër korrupsionit e Policisë Gjyqësore. Ai u mor në pyetje për rreth 15 orë, para se të lirohej në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës.

Asnjë akuzë nuk u shtrua drejt Platinit, i cili foli pas lirimit të tij: “Zgjati shumë, por duke marrë parasysh numrin e pyetjeve, mund të kishte shkuar në cilëndo mënyrë”.

“Ata më pyetën mua për EURO 2016, Kupën e Botës në Rusi, atë në Katar, FIFA-n. Por, unë u përgjigja në çdo pyetje me qetësi”.

Ndërsa avokati i Platinit shtoi se mediat kanë krijuar një rrëmujë për diçka të vogël.

“Ai nuk është më në mbajtje të policisë: një rrëmujë është krijuar për asgjë”.

63-vjeçari ishte president i UEFA-s mes viteve 2007 dhe 2015 para se ai ishte pezulluar nga të gjitha aktivitetet lidhur me futboll nga Komiteti Etik i FIFA-s.

Vendimi për t’ia dhënë Katarit të drejtën e organizimit të Botërorit 2022 ka qenë i përcjellë nga polemika të shumta për shkak të rekordit negativ të këtij vendi lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut, qëndrimit ndaj komunitetit LGBT+ dhe integritetit të Katarit.

Francezi e ka pranuar më herët se ai e kishte mbajtur një takim sekret me zyrtarin famëkeq Mohamed bin Hammam, pak para se të vendoste t’ia jepte Katarit organizimin e Kupës së Botës. 

(Kosova Sot Online)