Minsk 2019: Zejnullahu radhitet e fundit në rundin e parë
Kosova e nisi rrugëtimin në Lojërat Evropiane 2019 me shigjetaren Ardita Zejnullahu, e cila po garon në disiplinën Hark Olimpik.
Ardita Zejnullahu e mori pozitën e fundit në rrethin e parë, atë radhitës, në kuadër të garës për Hark Olimpik në Lojërat Evropiane Minsk 2019.
Shigjetarja kosovare u radhit në pozitën e fundit në të dyja pjesët e kësaj gare, në pozitën e 48-të nga po aq shigjetare që po garonin.
Ajo i grumbulloi gjithsej 500 pikë, 242 nga pjesa e parë, ndërsa 258 në pjesën e dytë.
Në rrethin e 1/32 të finales, Zejnullahu do të përballet me britaniken Michaela Pitman Bryony, e cila në rrethin radhitës e mori pozitën e 17-të, me gjithsej 640 pikë të grumbulluara.
Kosovën do ta përfaqësojnë në Lojërat Evropiane Minsk 2019 në Bjellorusi edhe 11 sportistë të tjerë gjatë ditëve në vijim.
(Kosova Sot Online)