“Bale ka kontratë deri më 2022 dhe nuk e ka ndërmend të largohet nga Reali”

  • 01 July 2019 - 20:47
“Bale ka kontratë deri më 2022 dhe nuk e ka ndërmend të largohet nga Reali”

Agjenti i Gareth Bale ka përsëritur sërish se uellsiani nuk e ka ndërmend të largohet nga “Santiago Bernabeu”. Ai ka kontratë me Realin deri më 2022. E vetmja mënyrë për ta larguar, është që Reali t’ia japë 50 milionë euro, aq sa i takojnë në këto tri vite kontratë me Los Blancos.

Gareth Bale është gati për të nisur parasezonin me Real Madridin me 8 korrik.

Pavarësisht se Zinedine Zidane dëshiron ta largojë dhe me ato para të afrojë një top lojtar, apo edhe ta përfshijë në marrëveshje me Paul Pogban e Manchester United, kjo nuk pritet të ndodhë.

Agjenti i futbollistit, Jonathan Barnett, ka përsëritur edhe njëherë se Bale nuk e ka ndërmend të largohet nga Madridi.

“Futbollisti nuk ka për qëllim që të largohet nga Real Madrid dhe është gati për të nisur parasezonin javën e ardhshme”, tha Barnett për ESPN.

“Bale ka kontratë deri më 2022 dhe është në dispozicion të Zidanes”.

Për të qëndruar, Bale duhet të fitojë besimin e Zidanit, sepse francezi nuk i beson aspak 28-vjeçarit.

Në fakt, Bale nuk bën pjesë në planet e Zidane dhe Real Madridi ka humbur durimin me 28-vjeçarin që insiston të mos largohet. Raportohet se për t’u larguar, ai kërkon 51 milionë euro, pasi ka kontratë edhe për tri vite.

Bale është pjesë e Real Madridit që nga viti 2013.

Ai ka shënuar 102 gola në 231 paraqitje për Los Blancos dhe ka fituar 14 trofe, veçuar katër të Champions League, në dy prej të cilëve edhe ka shënuar gola – (për 2-1 më 2014 kundër Atleticos dhe për 2-1 e 3-1 kundër Liverpoolit). 


(Kosova Sot Online)