“Futbollistet paguhen sa për të mos vdekur nga uria”

  • 09 July 2019 - 10:34
“Futbollistet paguhen sa për të mos vdekur nga uria”

Ish-trajnerja e ekipit kombëtar të vajzave të SHBA-së, Anson Dorrance, beson se amerikanet do ta humbin statusin si skuadra më e mirë në botë nëse nuk përmirësohen “pagat sa për të mos vdekur nga uria” në ligat vendore.

SHBA-ja e fitoi titullin e katërt të Kupës së Botës të dielën, në Lyon, duke e mbrojtur titullin e kampiones me fitoren 2:0 ndaj Holandës, pasi i kishte eliminuar disa favorite të tjera si Franca dhe Anglia në fazat paraprake.

Megan Rapinoe, fituesja e Topit të Artë dhe Këpucës së Artë të kësaj gare, kishte folur më parë për dallimin në shpërblime financiare për fituesit e Kupës së Botës në kategorinë e djemve dhe vajzave.

Dallim të madh në paga ka edhe në ligat vendore në SHBA. Vajzat kanë pagë minimale prej 16,539 dollarësh në vit dhe maksimale prej 46,200 dollarësh në vit, ndërsa djemtë e kanë minimalen 56,250 dollarë dhe maksimalen 7.2 milionë dollarë.

“Një futbolliste profesioniste në nivelin e parë të futbollit në SHBA, NWSL, fiton 16,500 dollarë. Këto paga janë sa për të mos vdekur nga uria”, është shprehur Dorrance, e cila e fitoi Kupën  Botës në vitin 1991 me skuadrën e SHBA-së.

“Do të doja të shihja gjithnjë e më shumë gra të fitojnë po aq para sa po i fitojnë disa burra”.

Ekipi i grave fiton shumë më pak para sesa skuadra e burrave dhe futbollistet e kanë paditur Federatën për këtë ndryshim. Ato gjithashtu e akuzojnë Federatën se iu ka ofruar kushte më të këqija për t’u stërvitur, si trajtimet mjekësore, kampet stërvitore dhe kurset për trajneret. 

Federata e Futbollit e SHBA-së i ka mbrojtur vendimet për pagat e ofruara për futbollistet duke thënë se ekipet e djemve sjellin më shumë përfitime. Por, në këtë argument ka boshllëqe.

Ky argument nuk ka qenë i saktë gjatë kohës së fundit. Ashtu siç raportoi The Wall Street Journal muajin e kaluar, “Nga viti 2016 në vitin 2018, ekipi i vajzave i ka sjellë 50.8 milionë dollarë përfitim, në krahasim me 49.9 milionë dollarët e sjella nga djemtë”. Këto të dhëna janë nxjerrë nga raporti i auditimit i Federatës së Futbollit të SHBA-së.

(Kosova Sot Online)