Maldini: Modrici do të ishte i përsosur për Milanin

  • 19 July 2019 - 15:30
Maldini: Modrici do të ishte i përsosur për Milanin

Drejtori teknik i Milanit, Paolo Maldini, insiston se përderisa mesfushori i Real Madridit, Luka Modrici, do të ishte i përsosur për skuadrën e kuqezinjve, ata nuk kanë pasur asnjë kontakt mes vete.

Gazetari i famshëm italian i sportit, Gianluca Di Marzio, raportoi para disa ditëve se Milani është interesuar ta zbulojë nëse Real Madridi është i gatshëm ta shesë mesfushorin kroat Luka Modric këtë verë.

Drejtuesit e klubit u takuan me agjentin e Modricit të martën për të diskutuar për disa klientë të tjerë të tij, mirëpo mesfushori i Real Madridi u përmend gjatë bisedimeve mes tyre, sipas Di Marzios.

Agjenti ua bëri të ditur kuqezinjve se Real Madridi nuk dëshiron ta lejojë kroatin të largohet, mirëpo mund të pranojnë ta bëjnë këtë gjë për ta rritur buxhetin për transferime këtë verë dhe për t’i larguar shpenzimet për pagën e Modricit.

Megjithatë, tani Maldini e ka bërë të qartë se kroati nuk është në listën e lojtarëve të kërkuar nga Milani, përkundër që ai do të ishte i përsosur për skuadrën e tyre.

“Ne kurrë nuk negociuam për Modricin, por e kemi thënë këtë: klubi është duke kërkuar lojtarë të rinj e të talentuar dhe për disa futbollistë të tjerë me më shumë përvojë”, u shpreh legjenda e klubit në një konferencë për shtyp.

“Rritja e lojtarëve të rinj bëhet përmes prezencës së lojtarëve të rinj. Modrici do të ishte i përsosur këtu, por ne nuk kemi negociuar kurrë për të”.

“Ne kemi nevoja në disa pozita të caktuara. Lojtarët cilësorë janë shumë të shtrenjtë. Katër mesfushorë janë larguar, kështu që duhet të intervenojmë aty. Ne negociuam për Bennacerin dhe Veretout. Pas kësaj, tregu është plot negociata, mundësi dhe zgjedhje”.

“Milani duket se ka ngecur prapa, por afati kalimtar nuk mbyllet deri më 2 shtator. Ne nuk jemi duke u nxituar. Shumë gjëra duhet të përshtaten mes vete. Nëse mundemi, do të sjellim edhe lojtarë të tjerë që mendojmë se janë të mrekullueshëm”. 

(Kosova Sot Online)