Cili është menaxheri më i paguar në futboll?

  • 27 July 2019 - 22:34
Cili është menaxheri më i paguar në futboll?

Konsiderohet si njëri prej bizneseve më të mira. Sidomos për super agjentët që menaxhojnë lojtarë si Paul Pogba, Zlatan Ibrahimovic dhe Gareth Bale

Me afatin e transferëve që gjithmonë ngrit adrenalinën në dy periudha të vitit, agjentët janë ata që shfaqen më së shumti në publik.

Ata janë katalizatorët pas lojtarëve të mëdhenj ku kërkojnë marrëveshjet e tyre më të mira për klientët, bëjnë lojë mediale në të njëjtën kohë kurse prapa dyerve bisedojnë me klube, prishin kontrata, nënshkruajnë marrëveshje më të tjerët.

Përderisa ka një mori agjentësh në tërë botën, vetëm disa prej tyre janë të atillë që mund ta kenë epitetin e “super agjentëve” – burra të cilët merren me shitjen e lojtarëve të mëdhenj e ku krahas përfitimeve të lojtarëve përkujdesen  edhe për fitimet e tyre.

Shifra të tilla tregojnë se ata fitojnë shumë në përpjekjet e tyre, me agjentët që marrin fonde nga komisioni për marrëveshje të transferëve, një përqindje nga paga e lojtarit (kryesisht 10 për qind), që në këtë rast mund të konsiderohen palë e tretë në çdo kontratë.

Këta janë pesë menaxherët për të cilët besohet se janë më të paguarit në botë, në bazë të kontratave që ata menaxhojnë.

Jose Otin

Me bazë në Madrid, Jose Otin është agjenti kryesor në Bahia Internacional Agency, e cila ka një numër të madh të yjeve spanjoll në menaxhim, lojtarë të mëdhenj siç është portieri i Chelsea, Kepa, Dani Ceballos, i cili u huazua nga Arsenal nga Real Madridi dhe Javi Martinezin e Bayern Munichut.

Sipas Forbes në vitin 2018, agjencia menaxhon me 100 lojtarë, me Otin që besohet se menaxhon kontrata me vlerë 244 milionë funte.

Kudo që ka yll të madh spanjoll që transferohet nga La Liga në Angli, Otin është njeriu kryesor pas këtij kalimi.

Volker Struth

Si Otin, Struth nuk ka dëshirë që të ekspozohet në media, por nuk do të thotë se ai nuk ka një numër të madh të yjeve në menaxhim. Ashtu sikurse Otin që dominon në tregun spanjoll, Struth është në Gjermani.

Nga klientët e tij janë Toni Kroos i Real Madridit dhe Marco Reus i Borussia Dortmundit. Ai ka me pak lojtarë në menaxhim se Otin por kontratat e tij janë shumë më të mëdha dhe arrin shifrën deri në 375 milionë funte.

Mino Raiola

Njëri prej agjentëve që më se shumti njihet në botë është Mino Raiola, për të cilin thuhet se menaxhon kontrata në vlerë 508 milionë funte.

Italiani “vdes” për të dalë në media dhe shpesh shihet duke i mbrojtur lojtarët e tij, më se shumti Paul Pogban. Ai ishte kreatori që fituesi i Botërorit të kthehet në Manchester United pas suksesit të tij në Itali me Juventusin dhe ai punon edhe tani që ai të jetë vazhdimisht në qendër të vëmendjes, transmeton GazetaExpress.  

Realisht, ai ka krijuar një marrëdhënie të fuqishme me Djajtë e Kuq së fundmi, përderisa ai po ashtu menaxhon me Romelu Lukaku, më parë edhe me Henrikh Mkhitaryan.

Ai konsiderohet një personalitet agresiv kurse edhe lojtarët i ka pak a shumë me karakter të njëjtë. Zlatan Ibrahimovic është po ashtu njëri prej klientëve të tij.

Jonathan Barnett

Një ndër agjentët që punon çdo ditë gjatë verës është Jonathan Barnett, i cili paraqitet në media sidomos kur i duhet ta mbrojë Gareth Bale. Uelsiani është ylli klient i tij, i cili duket se do të largohet nga Real Madrid pasi që një skuadër kineze i ofron lojtarit pagë javore prej 1 milionë funte.

Nuk është vetëm Bale që Barnett menaxhon me të. Në agjencinë e tij ka edhe emra të mëdhenj si Joe Hart dhe Luke Shaw, derisa grupi “Stellar”, që ai e themeloi me David Manasseh ka përafërsisht 500 lojtarë në menaxhim.

Vetëm Barnett menaxhon kontrata me vlerë prej 643 milionë funte, sipas Forbes më 2018.

Jorge Mendes

Gjithmonë i konsideruar si njëri prej burrave më të suksesshëm në këtë sport, Jorge Mendes është gjeniu që qëndron prapa agjencisë së futbollit “Festifute”, e ku vjen në këtë profesion pas një karrierë të suksesshme si DJ.

Mendes është njëri nder personat më natyral në këtë biznes dhe është një urë lidhëse në mes të Amerikës Jugore dhe Europës, ku gjithmonë sjell talentët më të mirë nga Argjentina dhe Brazili të cilët fillimisht ndalojnë në Portugali për t’u bërë superyje internacional. Nga emrat më të njohur janë James Rodriguez, Angel Di Maria dhe Diego Costa.

Lojtarët portugez po ashtu janë burimi kryesor i të ardhurave të tij, ai menaxhon me Bernardo Silvan që është në Manchester City.

Megjithatë, Cristiano Ronaldo, mbetet klienti yll i tij, për të cilin ai luajti rol kryesor që pesë herë fituesi i Topit të Artë të kalojë në Juventus.

Si shtesë, ai ka edhe një marrëveshje të veçantë me Wolves, tek të cilët vepron si këshilltar i transferëve.

Llogaritet që Mendes, i cili është edhe menaxher i Jose Morinho, llogaritet se menaxhon kontrata në vlerë 807 milionë funte (1 miliard dollarë).


(Kosova Sot Online)