Mbyllet pjesa e parë: Feronikelit i vështirësohen punët për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim

  • 30 July 2019 - 19:01
Mbyllet pjesa e parë: Feronikelit i vështirësohen punët për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim

Feronikelit i janë vështirësuar punët për t’i mbajtur gjallë shpresat për kalim në rundin e tretë kualifikues në përpjekje për ta siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, pasi është duke humbur me rezultat minimal pas pjesës së parë në Prishtinë.

Feronikeli është duke u mposhtur 1:0 nga Slovan Bratislava pas 45 minutave të parë në ndeshjen e kthimit të rundit të dytë kualifikues në garën dytësore evropiane në stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet.

De Marco shënoi me kokë për epërsinë minimale të sllovakëve në minutën e 19-të pas një harkimi nga këndi.

Kampioni i Kosovës e kishte humbur 2:1 ndeshjen e parë të këtij rundi të zhvilluar javën e kaluar në Sllovaki dhe tani është duke humbur me rezultat të përgjithshëm 3:1.

Niklit i duhen të paktën dy gola (dhe të mos e pranoj asnjë) për t’i siguruar së paku vazhdimet, ndërsa tri apo më shumë për të kaluar tutje.

Mysafirët u treguan skuadër më e mirë në pjesën e parë në Fadil Vokrri, pasi përveç golit, ata e kontrolluan takimin duke pasur topin në posedim dhe duke krijuar më shumë raste.

(Kosova Sot Online)