Zbulohet çmimi që PSG-ja e kërkon për Neymarin

  • 01 August 2019 - 08:14
Zbulohet çmimi që PSG-ja e kërkon për Neymarin

Ylli brazilian i Paris Saint-Germainit, Neymar, është përfolur për një transferim larg “Parc des Princes” gjatë gjithë verës, mirëpo çmimi që gjiganti francez ia ka vendosur atij e vështirëson transferimin e tij diku tjetër.

Paris Saint-Germaini ka vendosur që të pranojë vetëm ofertë prej 300 milionë eurosh ose më shumë për brazilian Neymar, sipas burimeve të revistës prestigjioze franceze, L’Equipe.

Neymari e ka bërë të qartë se dëshiron të largohet nga PSG-ja këtë verë dhe destinacioni i tij i preferuar do të ishte Barcelona, nga ku u largua para dy vjetëve për 222 milionë euro, duke u bërë futbollisti më i shtrenjtë në histori të këtij sporti.

Edhe Barcelona dëshiron ta kthejë Neymarin në “Camp Nou” për sezonin tjetër, mirëpo një gjë e tillë nuk do të jetë kaq e lehtë. Marrëdhënia e keqe mes PSG-së dhe klubit katalonas bën që francezët të mos dëshirojnë të negociojnë dhe të preferojnë ta shesin brazilianin kudo tjetër para se t’ia japin “Blaugranëve”.

Përderisa Neymari dhe Barcelona mund të pajtohen për kontratën personale, ata do ta kenë më të vështirë të arrijnë marrëveshje me klubin francez, që nuk dëshiron të pranojë asnjë ofertë përveç 300 milionë euro e më shumë.

Një shumë të tillë nuk mund ta përballojnë katalonasit, të cilët këtë verë shpenzuan shumë para për ta transferuar një yll tjetër, Antoine Griezmannin, nga Atletico Madridi. Nëse ata e blejnë Neymarin për 300 milionë euro, mund të përballen me dënime nga UEFA e FIFA.

Për të mos rrezikuar përjashtimin nga garat evropiane apo dënimin me mostransferim të futbollistëve të tjerë për disa afate kalimtare, Barcelona ka preferuar t’i bëjë ofertë PSG-së me shkëmbin të lojtarëve.

Oferta e fundit e Barcelonës ishte 100 milionë euro dhe dy lojtarë të ekipit të parë në shkëmbim për Neymarin. Megjithatë, kjo ofertë u refuzua menjëherë nga PSG-ja, që nuk është e gatshme të negociojë. 

(Kosova Sot Online