Messi nuk ka frikë nga asgjë, bën të njëjtat premtime si vitin e kaluar

  • 05 August 2019 - 08:28
Messi nuk ka frikë nga asgjë, bën të njëjtat premtime si vitin e kaluar

Kupa, Liga dhe Champions League – do të jenë sërish objektivi i Barcelonës për sezonin 2019/20. Leo Messi nuk frikësohet nga asgjë, ai ka përsëritur se Barça do të shkojë për tripletën, diçka që ishte afër për ta arritur sezonin e kaluar, por në fund humbën Champions Leaguen dhe Kupën e Mbretit.

Kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, thotë se nuk është penduar kur tha një vit më parë se donte të sillte trofeun e Champions League në “Camp Nou”.

Por, edhe përkundër se ishin afër finales, pas fitores 3-0 në gjysmëfinale kundër Liverpoolit – befasisht në sfidën e kthimit Barça humbi 4-0.

Pesë herë kampioni i “Topit të Artë” ka folur përpara një stadiumi të mbushur plotë të dielën në “Camp Nou”, duke bërë të njëjtat premtime si verën e kaluar.

“Është e vështirë të thuash gjëra sot”, shprehet argjentinasi përpara tifozëve të tij.

“Megjithatë, nuk jam penduar për asgjë. Mund të them vetëm atë që thashë një sezon më parë. Kam besim te kjo skuadër, te këta lojtarë, te këta teknik. Së bashku, do të luftojmë sërish për gjithçka”.

“Sezoni i kaluar kishte një mbyllje të hidhur, por duhet ta vlerësojmë kampionatin e fituar, i teti në 11 vitet e fundit. Është diçka shumë e rëndësishme, por mbase sot nuk i kushtojmë shumë rëndësi”, shtoi ai mes tjerash.

Barcelona ishte afër tripletës, por në fund fitoi vetëm La Ligën sezonin e kaluar, pasi pas eliminimit nga Champions League nga Liverpooli, humbën edhe në finale të Kupës së Mbretit nga Valencia.

(Kosova Sot Online )