Hazardi pëson lëndim, i shtyhet debutimi me Real Madridin në La Liga

  • 16 August 2019 - 14:39
Hazardi pëson lëndim, i shtyhet debutimi me Real Madridin në La Liga

Sulmuesi anësor belg ka pësuar lëndim në kofshën e këmbës dhe trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, është detyruar t’i shqyrtojë disa opsione të tjera për formacionin e ndeshjes së parë në sezonin e ri të La Ligës, kundër Celta Vigos.

Eden Hazardi e ka pësuar një lëndim në këmbën e tij, vetëm pak kohë para se pritej ta bënte debutimin e tij me Real Madridin në ndeshje me karakter garues, pasi që deri më tani e ka mbajtur veshur fanellën e “Los Blancos” vetëm gjatë ndeshjeve miqësore.

Sipas uebsajtit ndërkombëtar të futbollit, Goal.com, Hazardi do të mungojë tri deri në katër javë.

Në anën tjetër, klubi madrilen ka konfirmuar se Hazardi do t’i kryejë edhe disa teste të tjera mjekësore. Pas këtyre testeve, ai do ta mbajë një takim me mjekët e klubit për ta krijuar një program stërvitjesh për t’u rikuperuar.

“Los Blancos” do ta nisin sezonin e ri me ndeshjen kundër Celta Vigos, megjithatë trajneri Zidane s’do ta ketë në skuadër Hazardin, të cilin Real Madridi e bleu për 100 milionë euro këtë verë nga Chelsea.

(Kosova Sot Online)