Hazardi reklamon muskujt pas fitores së Real Madridit

  • 17 gusht 2019 - 23:30
Hazardi reklamon muskujt pas fitores së Real Madridit

Edhe pse nuk pati mundësi të jetë pjesë e skuadrës së Real Madridit që siguroi fitore me rezultat 3:1 në ndeshjen kundër Celta Vigos, Eden Hazardi e ka festuar fitoren e skuadrës së tij.

Anësori belg e ka shfaqur lumturinë e tij për fitoren e “Los Blancos” përmes një video të publikuar, ku ai shihet duke i reklamuar muskujt – pas kritikave për peshën e tij – dhe duke i prerë flokët.

Barcelona i humbi mbrëmë tre pikët e para të sezonit të ri të La Ligës dhe Real Madridi u përgjigj duke shënuar fitore me rezultat 3:1 kundër Celta Vigos në “Municipal de Balaidos”, përkundër që ishte me dhjetë lojtarë në fushë nga  minuta e 56-të.

Karim Benzema e shënoi golin e parë të Real Madridit në këtë ndeshje, në minutën e 12-të të ndeshjes, mirëpo kyc në këtë epërsi ishte Gareth Bale, të cilit klubi madrilen ia kishte bërë të qartë se nuk e do në skuadër për sezonin e ardhshëm. Mirëpo, lëndimi i Eden Hazardit vetëm një ditë më parë bëri që Bale ta fitojë një vend në formacionin e parë.

Celta Vigo shijoi më shumë posedim të topit gjatë pjesës së parë të ndeshjes, mirëpo e bëri vetëm një goditje, që ishte jashtë kuadratit të portës, përveç golit të anuluar të Brais Mendez, që u anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.

VAR-i luajti rol të madh edhe në pjesën e dytë të ndeshjes, pasi që mesfushori kroat Luka Modric u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje ndaj Denis Suarezit.

Përkundër që ishte me dhjetë lojtarë në fushë, Real Madridi ishte më mbresëlënës në pjesën e dytë, kur i shënoi edhe dy gola të tjerë. Fillimisht Toni Kroos e shënoi një supergol në minutën e 61-të, ndërsa golin e tretë e shënoi Lucas Vazquez në minutën e 80-të të ndeshjes.

Golin e vetëm për Celta Vigon e shënoi Iker Losada në minutën e 90+1.

Real Madridi do të tentojë të vazhdojë me rezultate të tilla edhe në ndeshjet e radhës në La Liga, ku fillimisht do të përballet me Real Valladolidin më 24 gusht.

(Kosova Sot Online)