Trajneri i Liverpoolit njofton për lëndimin e Alissonit

  • 23 August 2019 - 10:45
Trajneri i Liverpoolit njofton për lëndimin e Alissonit

Trajneri i portierëve të Liverpoolit, John Achterberg, ka bërë të ditur se procesi i rikuperimit të Alissonit është duke shkuar mirë dhe se braziliani pritet të kthehet në fushën e blertë pas ndeshjeve të ekipeve kombëtare në shtator.

Portieri brazilian Alisson Becker e pësoi një lëndim në ndeshjen hapëse të sezonit të ri, 2019/20, të Premierligës, kundër Norwichit. Fillimisht kishte pasur shqetësime se lëndimi mund të jetë tejet serioz.

Megjithatë, pas testeve mjekësore, u mësua se ai do të mungojë për disa javë e jo muaj. Tani, Achterberg ka bërë të ditur se programi rehabilitues është duke i ndihmuar shumë brazilianit.

“Ali është mirë. Ai çdo ditë i bën trajtimet dhe mjekët po tentojnë ta përmirësojnë gjendjen e tij. Ai tani po i bën edhe disa ushtrime fizike me këmbën e tij. Është e vështirë, por duhet të jesh optimist”, ka thënë Achterberg për The Athletic.

“Ata nuk na i kanë dhënë një datë specifike se kur mund të kthehet, pasi që është e vështirë ta dish se sa shpejtë do të shërohet një lëndim. E gjitha kjo i takon stafit mjekësor. Tani po vijnë ndeshjet e Kombëtareve dhe pastaj do ta shohim”.

Përderisa Alissoni ka munguar në skuadrën e Jurgen Kloppit në fillim të këtij sezoni të ri, ai e kishte pasur një ndikim pozitiv në Anfield që kur u transferua nga Roma në verën e vitit 2018. Braziliani e fitoi “Dorezën e Artë” qysh në sezonin e tij debutues.

Paraqitjet e Alissonit vlerësohen aq mbresëlënëse saqë ai tani po përflitet si njëri ndër favoritët për ta fituar “Topin e Artë” këtë vit, bashkë me Lionel Messin e Virgil van Dijkun. 

(Kosova Sot Online)