Sancho kërkon ndryshime: Racizmi e rrezikon dashurinë e lojtarëve për futboll

  • 03 September 2019 - 08:25
Sancho kërkon ndryshime: Racizmi e rrezikon dashurinë e lojtarëve për futboll

Romelu Lukaku kërkoi që bota e futbollit të bëhet bashkë pasi u bë viktimë e abuzimit në baza racore dhe ai e ka mbështetjen e yllit të Dortmundin, Jadon Sanchos.

Sulmuesi anësor anglez, Jadon Sancho, frikësohet se lojtarët do të fillojnë ta humbin dashurinë e tyre për futbollin nëse incidentet e lidhura me diskriminim vazhdojnë ta mbizotërojnë sportin.

Të dielën, sulmuesi i Interit, Romelu Lukaku, u prit me thirrje raciste në ndeshjen kundër Cagliarit, në kuadër të Serisë A. Tifozët bënë zhurma që simbolizojnë majmunët para se belgu ta shënonte një penallti vendimtare në fitoren e Interit me rezultat 2:1.

Ky është vetëm rasti i fundit i racizmit në vijën e gjatë të këtyre incidenteve që kanë ndodhur gjatë javëve të fundit, kur futbollistët si Paul Pogba, Tammy Abraham dhe Kurt Zouma u bënë viktima të racizmit përmes rrjeteve sociale.

Në një intervistë, pasi u ftua nga ekipi kombëtar i Anglisë për ndeshjet kualifikuese në Kampionatin Evropian 2020, ylli i Dortmundit e lavdëroi Lukakun për reagimin e tij, mirëpo edhe e shprehi shqetësimin e tij për këto raste.

“Personalisht mendoj se e gjitha kjo duhet të marrë fund. Asnjë futbollist nuk dëshiron të luajë futboll duke u abuzuar në atë mënyrë”, u shpreh Sancho.

“Gjërat e tilla ia ulin vetëbesimin lojtarëve dhe dashuria për këtë sport do të zhduket shumë shpejt nëse kjo gjë nuk ndalet”.

“Të gjithë duhet të jenë të lumtur dhe ta bëjnë punën e tyre pa u pritur me thirrje raciste. Nuk mendoj se kjo gjë vlen vetëm për rrjetet sociale”.

“Disa tifozë janë thjesht shumë të zjarrtë dhe, natyrisht, ata e thonë atë që duan ta thonë. Mendoj se ata duhet ta ulin pak këtë gjë – ne jemi vetëm njerëz”.

“Vetëm pse ne luajmë futboll, njerëzit mendojnë se ne jemi të famshëm dhe injorantë ndaj këtyre gjërave, por ne thjesht e duam këtë sport dhe vetëm duam të luajmë”.

“Është e vështirë t’i shohësh gjërat kështu sepse mendoj: “Pse duhet ne të luajmë futboll? Mendoj se Romelu Lukaku e menaxhoi të gjithë situatën shumë mirë duke mos reaguar dhe duke vazhduar të luajë”.

(Kosova Sot Online)