Tifozët serbë mbulojnë hartën e Kosovës me flamurin e Serbisë në Kampionatin Botëror

  • 04 September 2019 - 15:44
Tifozët serbë mbulojnë hartën e Kosovës me flamurin e Serbisë në Kampionatin Botëror

Gjatë ndeshjes mes Italisë dhe Serbisë në Kampionatin Botëror të basketbollit, që po zhvillohet momentalisht në Kinë, tifozët serbë i shfaqën në stadium dy flamuj të hartës së Kosovës, mbi të cilat ishte vendosur flamuri i Serbisë.

Në kuadër të Kampionatit Botëror të basketbollit, Serbia e zhvilloi një përballje me Italinë, në kuadër të xhiros së tretë të grupit D.

Serbia e fitoi këtë ndeshje, e cila nisi në orën 13:30, me rezultat 92:77. Mirëpo, vëmendjen në këtë ndeshje e morën dy flamuj të hartës së Kosovës, të cilat ishin vendosur në stadium nga ana e tifozëve serbë.

Në këta flamuj, harta e Kosovës shihet se është e mbuluar me flamurin e Serbisë, mënyrë tjetër kjo për të mos e pranuar shtetin e Kosovës nga ana e Serbisë, përveç thirrjeve “Kosova është Serbi”, të cilat janë dëgjuar në disa ndeshje të futbollit më parë.

Për më tepër, as Kina, ku po organizohet Kampionati Botëror 2019, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Serbia konsiderohet njëra ndër favoritet për këtë Botëror, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe bashkë me Greqinë. Deri më tani, ata i kanë fituar të tri ndeshjet e zhvilluara në kuadër të fazës së grupit.

Në anën tjetër, Kosova nuk po merr pjesë në këtë Kampionat Botëror pasi që nuk arriti të kualifikohet.

(Kosova Sot Online)