Lojtarët e Kosovës festojnë duke kënduar këngën “Mora fjalë”

  • 07 September 2019 - 18:39
Lojtarët e Kosovës festojnë duke kënduar këngën “Mora fjalë”

Pas triumfit të rëndësishëm në “Fadil Vokrri”, futbollistët e Kosovës e kanë vazhduar festën edhe  në autobus, gjatë kohës sa po kthehen nga stadium në hotelin ku po qëndrojnë.

Qendërmbrojtësi Amir Rrahmani e ka publikuar në Instagram një video të kësaj feste, ku shihen “Dardanët” duke kënduar këngën e Shkurte Fejzës, “Mora fjalë”.

Fitorja e sotshme e “Dardanëve” jo vetëm që e vazhdon ecurinë e ndeshjeve pa disfatë në 15 të tilla, por edhe ia jep Kosovës tri pikë të rëndësishme në ëndrrën për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020.

Nga gjithsej katër ndeshje të zhvilluara deri më tani, Kosova i ka siguruar dy fitore – kundër Çekisë dhe Bullgarisë – dhe dy barazime – kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Anglia radhitet e dyta në Grupin A, pas Kosovës, megjithatë xhiron e kësaj ndeshjeje anglezët do ta zhvillojnë sot në orën 18:00 kundër Bullgarisë.

Kosova do ta vazhdojë ëndrrën për kualifikim në EURO 2020 të martën, kur do të përballet me Anglinë në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s”.

Megjithatë, Kosova e ka edhe një rrugë të dytë për ta siguruar pjesëmarrjen në Evropian, përmes play-offs të Ligës së Kombeve, ku në gjysmëfinale do të takohet me Maqedoninë, e në finale mund të përballet me Bjellorusinë ose Gjeorgjinë.

(Kosova Sot Online)