Xhaka e arsyeton formën e dobët: Po luaj i lënduar tash e disa javë

  • 09 September 2019 - 15:18
Xhaka e arsyeton formën e dobët: Po luaj i lënduar tash e disa javë

Mesfushori shqiptar Granit Xhaka ka thënë se është duke vuajtur nga një lëndim që prej fillimit të këtij sezoni, i cili mund të ketë ndikuar në formën e tij të dobët për Arsenalin.

26-vjeçari ishte titullar për Zvicrën në ndeshjen kualifikuese për Euro 2020 kundër Gjibraltarit të dielën mbrëma, por nuk mundi të luajë më shumë se 74 minuta dhe u zëvendësua nga Ruben Vargas.

Në ndeshjen e parë të Arsenalit këtë sezon në Premierligë kundër Newcastle, Xhaka mori goditje në shpinë dhe këmbë dhe si pasojë mungoi në ndeshjen e ardhshme ndaj Burnley.

Edhe pse që prej atëherë ka luajtur titullar në çdo ndeshje, Xhaka pohon se ka luajtur duke ndier dhimbje vazhdimisht nga dëmtimi i tendinit të Akilit.

Mesfushori shqiptar ka marrë kritika të ashpra këtë fillim sezon për formën e tij, e sidomos pas ndeshjes së fundit të Arsenalit kundër Tottenhamit, pasi shkaktoi penallti të panevojshme që i kushtoi skuadrës së tij me humbje të dy pikëve.

“Ka disa javë që vuaj nga dhimbjet në tendinin e Akilit. E ndjeva edhe sot gjatë ndeshjes”, tha Xhaka pas fitores së Zvicrës të dielën mbrëma.

“Më dhemb tani, por do të jetë në rregull”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)