“Reja, trajneri i duhur për Shqipërinë”

  • 12 September 2019 - 12:42
“Reja, trajneri i duhur për Shqipërinë”

Katër gola si asnjëherë tjetër në kualifikuese treguan forcën e Shqipërisë përballë një rivali si Islanda. Pas një triumfi të tillë, ish-bomberi, ish-anëtari i stafit të De Biazit dhe ish-trajneri i U-19 analizon për “Panorama Sport” reagimin e kuqezinjve pas disfatës me Francën.

Sipas tij, Reja është një trajner që mund ta nxjerrë ekipin nga situata e vështirë ku u fut Shqipëria pas Europianit.

Fitore dhe festë ndaj Islandës. Ishte vërtetë kaq e rëndësishme?

Për mua ishte e rëndësishme që të luhej mirë, sepse ka shumë kohë që Shqipëria nuk ka bërë ndeshje të mira. Në Islandë meritonim të paktën një pikë. Pikërisht për këtë arsye, përballja me Islandën ishte kaq e rëndësishme, sepse edhe futbollistët kishin marrë shumë kritika. Jo më kot, futbolli është kaq i bukur, pasi Shqipëria reagoi dhe lojtarët fituan me rezultat e lojë të mirë.

Çështja e skemës është diskutuar shumë. Reja mendon se nuk është problem 3-5-2-shi për Shqipërinë. A mund të kemi sukses me të?

Reja, edhe në vitet e fundit që ka drejtuar skuadrat italiane, ka luajtur me rreshtimin 3-5-2. Ai e njeh mjaft mirë këtë skemë dhe nëse e thotë që mund të luajmë me këtë skemë, atëherë… Realisht, unë e pashë ndaj Islandës që Shqipëria luajti mirë.

Nëse shtrohet pyetja në këtë mënyrë dhe të diskutosh që a do të luajë Shqipëria mirë edhe në të ardhmen me këtë skemë, është e vështirë për ta thënë, sepse mbi të gjitha, çdo gjë kërkon kohë për të qendë efikase. Ama, trajneri Reja ka eksperiencën e duhur për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo situatë.

Ajo që kaloi dhe po kalon kombëtarja, nuk është e thjeshtë, sepse pas Europianit nuk ka bërë ndeshje të mira, as për t’u parë, por as nga rezultatet. Unë mendoj që duke pasur besim te kjo skemë në vazhdimësi, ekip mund të luajë akoma më mirë, mund të konsolidohet.

(Kosova Sot Online )