Pas Kosovës, Valon Berisha synon ta “rrëmbejë” edhe Lazion

  • 17 September 2019 - 17:44
Pas Kosovës, Valon Berisha synon ta “rrëmbejë” edhe Lazion

Paraqitjet mbresëlënëse me Përfaqësuesen e Kosovës mund ta shpërblejnë Valon Berishën. Futbollisti kosovar e ka rikthyer formën optimale dhe pritet të luajë nga minuta e parë në sfidën e Lazios ndaj Cluj në Europa League këtë mesjavë

Valon Berisha i ka ndezur motorët.

Mesfushori kosovar është duke u futur në pistë për sezonin e ri të Lazios.

Përfaqësuesi kosovar është në garë për ta fituar një vend titullari në ndeshjen e së enjtes ndaj Cluj, në ndeshjen e parë të këtij sezoni për ekipin italian në Europa League.

Mesfushori kualitativ kishte përfunduar në bankinë në tri ndeshjet e para të kampionatit, ndërsa tash ai e synon ngritjen. 

26 vjeçari e kishte kaluar sezonin e parë në Itali të përshkuar me probleme fizike, me lëndime muskulore dhe në gju, të cilat ia pamundësuan ta gjente formën e kaluar në Salzburg viteve të fundit.

Mirëpo, nga muaji gusht është rikthyer me grupin, duke gjetur hapësira në miqësoret parasezonale.

Ngritja e tij më e madhe ndodhi në ndeshjet e Kombëtareve: ai hyri në lojë në pjesën e dytë në ndeshje me Republikën Çeke dhe asistoi për golin e dytë dhe të fitores, të cilin e realizoi Mërgim Vojvoda.

Më pas ishte titullar në humbjen 3:5 nga Anglia, por ishte lojtari i ndeshjes.

Ai realizoi dy gola në stadiumin e Southamptonit dhe bëri lojë të madhe, duke ua bërë me dije të gjithëve se po kthehet Valoni i dikurshëm, Valoni i madh.

Tash, ai është i gatshëm ta bind edhe trajnerin Simone Inzaghi për t’ia besuar rolin e titullarit në mesfushë.

Berisha i kishte zhvilluar vetëm 14 ndeshje sezonin e kaluar me “Biancocelesti”.

Por, ai shpreson që ky të jetë një sezon më pozitiv për të, si në aspektin personal, ashtu edhe ekipor.

Lazio vazhdon të besojë tek Berisha, edhe pse gjatë verës flitej se mund të rikthehej në Austri, tek Salzburgu.

Berisha synon të rinis gjithçka me ndeshjen ndaj Cluj, për t’u bërë më pas protagonist në sezonin e ri tek klubi italian.

(Kosova Sot Online)