Solskjaer: Largimi i Lukakus dhe Sanchezit ishte vendimi i duhur

  • 20 September 2019 - 17:15
Solskjaer: Largimi i Lukakus dhe Sanchezit ishte vendimi i duhur

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer insiston se ai e mori vendimin e duhur për largimin e Romelu Lukakus dhe Alexis Sanchezit nga skuadra, pasi Mason Greenwood i ndihmoi “Djajtë e kuq” të sigurojnë fitore në ndeshjen e së enjtes në Ligën e Evropës.

Mason Greenwood e tregoi potencialin e vet duke e shënuar golin e fitores mbrëmë në “Old Trafford”, ku Manchester Unitedi siguroi fitore me rezultat 1:0 në ndeshjen kundër Astanas, në ndeshjen hapëse të Grupit L të Ligës së Evropës.

17-vjeçari e dëshmoi pse Solskjaer e cilësoi atë si njërin ndër golashënuesit më të mirë që e ka parë ndonjëherë, duke ndikuar në rezultatin e ndeshjes, ku luajtën lojtarë të tjerë nga akademia e anglezëve, si Tahith Chong, Angel Gomes dhe Axel Tuanzebe.

Greenwood u bë futbollisti i parë i lindur në këtë milenium që shënoi për klubin, duke e dëshmuar se Solskjaer bëri mirë që i besoi atij, pas largimit të Romelu Lukakus dhe Alexis Sanchezit këtë verë.

“Kur ai është brenda zonës së portierit kundërshtar, ti e di se diçka do të ndodhë”, tha trajneri i Manchester Unitedit, pas ndeshjes.

“Ai mund të shkojë në krah, apo të qëndrojë në qendër. E shënoi golin në mënyrë të mrekullueshme, mes këmbëve të portierit”.

“Natyrisht se për të është e natyrshme që të luajë futboll, është e natyrshme për të edhe të shënojë gola dhe të jenë brenda dhe jashtë zonës së 16-metërshit”.

“Siç thashë dje, ai di shumë mirë ta godasë topin. Ndoshta po e godiste me më shumë fuqi sesa që duhej në pjesën e parë, ku kishte mundësi të shënonte në qoshen e sipërme të portës. Por, sot ai shfaqi shenja të lojtarit që mund të bëhet në të ardhmen”.

Kur u pyet se a ishte vendim i guximshëm që nuk transferoi lojtarë të rinj për t’i zëvendësuar Lukakun dhe Sanchezin, por vendosi t’i besojë një 17-vjeçari, Solskjaer tha: “Për mua, ai ishte vendimi i duhur”.

“Sepse mendoj se për klubin dhe për të… mendoj se ai do të jetë shumë i rëndësishëm për ne këtë sezon. Ai nuk ka luajtur shumë deri më tani, por do t’i ketë minutat e tij dhe do të rritet e të zhvillohet”. 

(Kosova Sot Online)