Solskjaer – lojtarëve të Man Unitedit: Më keni mërzitur e turpëruar

  • 25 September 2019 - 12:11
Solskjaer – lojtarëve të Man Unitedit: Më keni mërzitur e turpëruar

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, i kritikoi ashpër futbollistët e skuadrës së tij në zhveshtore, pas disfatës në xhiron e fundit të Premierligës, kundër West Hamit, sipas The Sun.

Manchester Unitedi e pati një paraqitje zhgënjyese në disfatën me rezultat 2:0 në xhiron e fundit të Premierligës dhe Ole Gunnar Solskjaer nuk ishte aspak i kënaqur me futbollistët e vet në këtë ndeshje, transmeton Gazeta Express.

Sipas të përditshmes angleze, The Sun, trajneri norvegjez i tha skuadrës së tij se ata e kishin mërzitur dhe se ai ka mbetur i turpëruar nga rezultati i ndeshjes.

Në anën tjetër, përkundër startit të dobët të Manchester Unitedit në këtë sezon të ri, Solskjaer e mori përkrahjen nga drejtori ekzekutiv i klubit, Ed Woodward, i cili të martën premtoi se do t’ia japë paratë e nevojshme për ta përforcuar skuadrën në janar.

Që kur u emërua trajner permanent në mars të këtij viti, Solskjaer i ka fituar vetëm pesë nga 17 ndeshjet e zhvilluara. Pas humbjes të së dielës, ai i akuzoi lojtarët e tij për mungesë urgjence në fazën e sulmit.

Trajneri i Manchester Unitedit gjithashtu është duke u përballur me një krizë në fazën e sulmit, pasi që i kanë mbetur vetëm tre sulmues – asnjëri s’është plotësisht në dispozicion, shkaku i lëndimeve – pas shitjes së Romelu Lukakus dhe huazimit të Alexis Sanchezit në Inter.

Ndeshja e së mërkurës në kuadër të Carabao Cup, kundër klubit Rochdale të nivelit të tretë të futbollit në Angli, shërben si mundësi për Solskjaer për të luajtur me lojtarët e akademisë, ndërsa norvegjezi shpreson se edhe Martial do të ketë mundësi të luajë rol në këtë ndeshje.

Marcus Rashfordi është jashtë skuadër për shkak se në ndeshjen kundër West Hamit, në fundjavë, e pësoi një lëndim në ijë. Për këtë arsye, Solskjaer do të tentojë ta testojë sulmin me Martialin dhe Mason Greenwoodin sonte, para ndeshjes kundër Arsenalit në Premierligë.

(Kosova Sot ONline)