Kriza në Real Madrid: 65 lëndime në 13 muaj

  • 25 September 2019 - 14:48
Kriza në Real Madrid: 65 lëndime në 13 muaj

Real Madridi nuk sheh dritë në fund të tunelit, sa iu përket problemeve me lëndimet, të cilat e kanë penalizuar fort skuadrën e bardhë që nga fillimi i sezonit të kaluar. Me shifrën alarmante të 50 dëmtimeve, galaktikët e mbyllën sezonin e kaluar në “infermieri”.

Edhe në sezonin aktual vijon ky trend, pasi 15 probleme fizike janë duke u kuruar nga stafi mjekësor në vetëm gjashtë ndeshje. Trajneri Zidane nuk e ka fshehur sikletin për dëmtimet e vazhdueshme, çka e ka detyruar të ndryshojë seriozisht planet e tij.

Nuk është më pak i prekur nga lëndimet  ky sezon, edhe pse sapo ka filluar. Tashmë janë 12 futbollistë, që kanë përfunduar në “infermieri”, gjë që zvogëlon mundësitë e zgjedhjes për trajnerin, si dhe shtrydh ata që janë të shëndetshëm me aktivizime pa ndërpreje.

Në këtë kuptim, Zidane duhet të gjejë një zgjidhje për “viktimat” e stërvitjes së tij, diçka që nuk po e bën shumë mirë.

Është e vërtetë që, siç thotë trajneri francez, të gjitha skuadrat e kanë këtë problem në njëfarë kohe, por në rastin e Real Madridit është një “virus”, që nuk njeh “armëpushim”.

Në këtë sezon, 15 dëmtimet e “Los Blancos” janë vërtet shumë në krahasim me gjashtë të tillë të Atlético Madridit dhe shtatë të Barcelonës. Është dallim i madh, veçanërisht në nivelin e dëmtimeve të muskujve.

Çështja është se Real Madridi po ndjek një dinamikë shumë negative në kapitullin e lëndimeve, pavarësisht se më seriozi ishte ai i Asensio në verë, i cili do të qëndrojë jashtë fushave gjithë sezonin.

Të tjerët do të rikuperohen në kohë të ndryshme. 15 dëmtimet e këtij sezoni, plus 50 të tjera në të kaluarin, e rrisin numrin e lëndimeve në 65. E pamundur që kjo shifër të mos ndikojë në performancën e një ekipi futbolli, qoftë ky edhe Real Madridi. 

Dallimi me Atlético Madrid që nga sezoni i kaluar nuk është aq i madh (59), por me Barçën po (41). Të bardhët nuk arrijnë ta zgjidhin këtë problem, madje duket se situate përkeqësohet. Mendy është i fundit në listën e të dëmtuarve, ndërsa Zidane nuk kupton ende asgjë se çfarë duhet bërë kundër kësaj “epidemie”. 

(Kosova Sot Online)