De Gea: Do të luftojmë për Solskjaerin deri në vdekje

  • 27 September 2019 - 10:22
De Gea: Do të luftojmë për Solskjaerin deri në vdekje

Portieri i Manchester Unitedit, David de Gea, e ka konfirmuar mbështetjen e tij për Ole Gunnar Solskjaerin, duke premtuar se do të luftojë për trajnerin e tij deri në vdekje.

Pasi kishte qenë mbresëlënës në ndeshjet e tij të para si trajner i përkohshëm, pas shkarkimit të Jose Mourinhos sezonin e kaluar, Ole Gunnar Solskjaer ka qenë në vështirësi që kur u konfirmua si trajner permanent në “Old Trafford”.

Një rënie në formë gjatë fundit të sezonit 2018/19 bëri që Manchester Unitedi ta humbë pjesëmarrjen në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, përderisa sezonin 2019/20 të Premierligës e kanë nisur me vetëm tetë pikë të grumbulluara nga gjashtë ndeshjet e para.

Kjo ecuri bëri që të vihet në pikëpyetje e ardhmja e norvegjezit në pozitën e trajnerit të gjigantit anglez, mirëpo De Gea beson se Manchester Unitedi duhet ta mbajë besimin te ish-sulmuesi i vet legjendar.

“Solskjaer është pjesë e familjes, ai ishte këtu për shumë vite si lojtar, e njeh klubin mirë dhe, ajo që është më e rëndësishmja, e gjitha skuadra e mbështet atë. Ne do të luftojmë deri në vdekje për të”, tha spanjolli.

“Kjo është gjëja më e rëndësishme – Ai është trajner i mirë dhe ne do të jemi me të deri në fund’.

De Gea së fundi e nënshkroi një kontratë të re në “Old Trafford”, duke e rinovuar kështu kontratën deri në vitin 2023, me opsionin për ta zgjatur atë edhe për një vit tjetër. 

(Kosova Sot Online)