KOK-u pret ish-kampionin e botës në kick-boks, Azem Maksutajn

  • 28 September 2019 - 22:16
KOK-u pret ish-kampionin e botës në kick-boks, Azem Maksutajn

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka pritur sot ish kampionin e botës në kick-boks, Azem Maksutajn.

Maksutaj shoqërohej me një delegacion të Federatës së Muaythait të Kosovës (FMTHK), kryetarin Shpëtim Ahmetajn, njëkohësisht kampion bote në kick-box, Jens Ëilke, gjyqtar i deleguar nga Federata Botërore e Muaythait, Arben Januzi, përzgjedhës i FMTHK.

Presidenti Hasani, duke i përgëzuar mysafirët për kontributin që po e japin në zhvillimin e muaythait në Kosovë, i uroi për organizimin e kampionatit të parë shtetëror që sot u mbajt në Prishtinë.

Presidenti Hasani shprehu edhe një herë mbështetjen e KOK-ut në zhvillimin e muaythait, si dhe në ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore, me ç’rast në fillim të muajit shtator dhjetëra përfaqësues të këtij sporti kryen me sukses kursin për administratorë sporti.

Maksutaj dhe mysafirët tjerë falënderuan Presidentin Hasani për pritjen në ambientet e KOK dhe kontributin e vazhdueshëm të dhënë në formimin dhe zhvillimin e federatës.

Federata e Muaythait të Kosovës është formuar vitin e kaluar, ndërsa është bërë anëtare e KOK-ut në Asamblenë e fundit.

(Kosova Sot Online)