Odegaard synon kthimin në Real Madrid, përkundër interesimit të Unitedit e Liverpoolit

  • 03 October 2019 - 18:22
Odegaard synon kthimin në Real Madrid, përkundër interesimit të Unitedit e Liverpoolit

Martin Odegaard e sheh të ardhmen e tij në Real Madrid, përkundër që tani është i huazuar në Real Sociedad, ku paraqitjet e tij kanë ngjallur interesimin e Manchester Unitedit, Manchester Cityt, Liverpoolit dhe Arsenalit.

Mesfushori i talentuar e kishte marrë vëmendjen e tifozëve të futbollit qysh në moshën 15-vjeçare. Ai ende mbetet njëri ndër lojtarët e rinj më të vlerësuar, përderisa në dhjetor i mbush 21 vjeç.

Drejtuesit e Real Madridit e kanë kuptuar potencialin e këtij futbollisti dhe për këtë arsye e kishin e bindur atë të nënshkruajë kontratë deri në vitin 2022 kur Odegaardi kishte qenë vetëm 16-vjeçar.

Odegaard insiston se ai dëshiron të qëndrojë te “Los Blancos” deri në fund të kësaj kontrate dhe të fitojë edhe vite të tjera kontrate me madrilenët.

Marrëveshja e tij me Sociedadin është e vlefshme deri në vitin 2021, por pas kësaj ai planifikon të kthehet në kryeqytetin spanjoll e jo të transferohet në Angli ose diku tjetër për ta vazhduar karrierën si profesionist.

“Qëllimi im është të qëndroj në Sociedad dy vjet dhe mendoj se kjo është e rëndësishme edhe për mua. I kam pasur dy sezone radhazi kur e kam ndryshuar skuadrën. Është mirë të kesh stabilitet”, ka thënë Odegaard për ESPN.

“Ky është një klub i mrekullueshëm dhe ne mund edhe të luajmë në Evropë sezonin e ardhshëm. Natyrisht që unë dua të luaj në Madrid, por jam ende i ri dhe jam i lumtur këtu për momentin”.

“Jam këtu për dy vjet dhe pastaj do ta shohim. Madridi do të transferojë gjithmonë lojtarë të mirë, kjo është e rëndësishme për klubin. Ata duan të jenë më të mirët në botë dhe kjo është normale”.

“Unë po ëndërroj të jem më i miri që mund të jem. Kurrë nuk mund ta dish se çfarë do të ndodh në futboll, por ëndrra ime, dhe ajo për të cilën po shpresoj, është se do të luaj në Madrid”.

Odegaard u transferua në Real Madrid për vetëm tre milionë euro dhe ai është shprehur i lumtur që nuk është detyruar të përballet me presionin që vjen me çmimet e larta të futbollistëve. 


(Kosova Sot Online)