Djali i portierit të Saint-Etienne qan sepse u detyrua ta veshë fanellën e kundërshtarëve të babait

  • 10 October 2019 - 09:47
Djali i portierit të Saint-Etienne qan sepse u detyrua ta veshë fanellën e kundërshtarëve të babait

Portieri i Saint-Etienne, Jesse Moulin u detyrua ta ngushëllojë djalin e tij para se të dilnin në fushë dorë për dore, pasi që djaloshi ishte i mërzitur që u detyrua ta veshë fanellën e ekipit kundërshtar, Lyonit.

Të dielën, Saint-Etienne shënoi fitore me rezultat 1:0 në ndeshjen kundër Lyonit, në kuadër të xhiros së nëntë të sezonit të ri të Ligue 1, duke u ngritur kështu në pozitën e 13-të në tabelën e ligës elitare të futbollit në Francë, transmeton Gazeta Express.

Ndeshja ishte mjaft e komentuar për shkak se Saint-Etienne shënoi fitore vetëm në momentet e fundit, përmes golit të Robert Bericit në minutën e 90-të, mirëpo së fundi kjo ndeshje është kthyer sërish në vëmendjen e mediave.

Kjo pasi që dje në mbrëmje BeIN Sports e transmetoi një video nga tuneli i stadiumit të ndeshjes, ku djali i portierit të Saint-Etienne, Jesse Moulin, shihet duke shpërthyer në lot, përderisa babai i tij e ngushëllon. Moulin e kishte veshur djalin e tij me fanellat e Lyonit pasi që dëshironte të dilte përkrah tij në fushë, mirëpo djaloshi nuk kishte qenë aspak i lumtur që u detyrua ta veshë fanellën e kundërshtarëve të babait të tij.

(Kosova Sot Online )