Fenerbahce e vë në fushë Muriqin me bashkëlojtarë me fanella në përkrahje të ushtrisë turke kundër kurdëve

  • 21 tetor 2019 - 15:49
Fenerbahce e vë në fushë Muriqin me bashkëlojtarë me fanella në përkrahje të ushtrisë turke kundër kurdëve

Vedat Muriqi është parë i veshur me një fanellë në përkrahje të ushtarëve turq – të përfshirë në luftë kundër kurdëve në Siri – gjatë ngrohjes para një ndeshjeje të ekipit të tij Fenerbahce në Superligën e Turqisë.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës Muriqi e shënoi golin e fitores së Fenerit 2:1 kundër Denizlispor, por gjiganti turk i nxori lojtarët e vet në ngrohje para këtij takimi të veshur me fanella në mbështetjeje të ushtarëve të Turqisë të përfshirë në një luftë që po kundërshtohet nga e gjithë bota.

Fanella e bardhë e veshur nga sulmuesi prizrenas dhe bashkëlojtarët e tij mban fotografinë e një ushtari turk duke bërë përshëndetje ushtarake dhe mbishkrimin si në vijim: “Atdheu u është mirënjohës”.

Organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA – që ndalon çfarëdo sjellje apo deklarate publike në stadiumet e futbollit – e ka hapur një hetim kundër Turqisë, pasi lojtarët e ekipit të saj kombëtar bënë përshëndetje ushtarake në mbështetje të ushtarëve turq në dy ndeshjet e tyre kualifikuese për Euro 2020 kundër Shqipërisë dhe Francës javën e kaluar.

Forcat turke e kanë nisur një sulm kundër kurdëve më 9 tetor në Siri, menjëherë pasi SHBA-ja i tërhoqi trupat ushtarake nga rajoni kufitar mes Sirisë dhe Turqisë. Të enjten e kaluar, palët u pajtuan për një armëpushim pesëditorë, pas kritikave të ashpra që Turqia i mori nga e gjithë bota.

Turqit gjithandej në futboll janë përfshirë në gjeste politike dhe mbështetje për ushtarët e vendit të tyre.

Klubi gjerman St Pauli e mori një vendim drastik javë më parë, duke e larguar njërin prej lojtarëve të vet, Cenk Sahin, pasi ai e kishte postuar një mesazh përkrahës për ushtrinë turke në rrjetet sociale.

“Ne jemi në anën e ushtrisë sonë heroike. Lutemi për ju!”, kishte shkruar Sahin në Instagram, duke e nxitur St Paulin ta përzë nga klubi. 

(Kosova Sot Online)