CR7: Mosha është vetëm numër, 34, 35 apo 36 s’është fundi karrierës

  • 21 October 2019 - 16:24
CR7: Mosha është vetëm numër, 34, 35 apo 36 s’është fundi karrierës

Është 34-vjeçar dhe në shkurt të vitit 2020 do t’i mbushë 35 vjet – por Cristiano Ronaldo nuk e ka ndërmend t’i varë edhe për shumë vite atletet.

Ish-sulmuesi i Real Madrid dhe Manchester United, tha të hënën në konferencë për media para ndeshjes me Lokomotivën në Champions League, se mosha për të është vetëm numër.

Ai dha sinjale se do të jetë në skenë, duke dhënë më të mirën për Juventusin edhe për shumë vite.

E ardhmja: “Mosha është vetëm numër. Të jesh 34, 35 apo 36-vjeçar s’do të thotë se është fundi karrierës. Mund ta vërtetoj këtë me paraqitjet e mia. Po ndihem shumë më mirë se më parë”.

Sarri: “Ekipi është duke bërë mirë, po luajmë më ndryshe, në një mënyrë më ofensive. Tani kam më shumë liri, jam shumë i lumtur: ndërruam trajnerin për t’u përmirësuar. Më pëlqen mënyra se si ai kërkon të luajmë”.

Championsin apo ‘Topin e Artë’: “Çmimet individuale nuk janë më të rëndësishme, por ato ekipore. Nuk kam çfarë të flas për Topin e Artë; çmimet vijnë nëse i gjithë ekipi ka sukses“.

700 gola: “I takon të kaluarës. Dua të shënoj më shumë, por ajo që më intereson më së shumti është suksesi me Juventusin dhe Portugalinë. Rekordet vijnë pas kësaj”.

Dybala apo Higuaín: “Janë vendime të trajnerit, por pamë këtë me Interin: Dybala startoi dhe shënoi gol, hyri Higuain dhe shënoi një tjetër. S’ka rëndësi kush starton, jemi ekip”.

(Kosova Sot Online)