Edhe Napoli i shtohet garës për Muriqin

  • 25 October 2019 - 15:23
Edhe Napoli i shtohet garës për Muriqin

Sulmuesi kosovar është bërë objektiv i shumë klubeve evropiane falë formës së shkëlqyeshme nëpër të cilën po kalon me Fenerbahçen dhe Përfaqësuesen e Kosovës.

Vedat Muriqi është futbollisti më i përfolur shqiptar i këtij viti.

Sulmuesi kosovar po shkëlqen në fanellën e Fenerbahçes dhe me Përfaqësuesen e Kosovës, prandaj interesimi i klubeve të ndryshme evropiane për të është i madh.

I fundit që është futur në garë për futbollistin prizrenas është Napoli.

Madje, drejtuesit e Napolit thuhet se janë takuar me përfaqësuesit e futbollistit për ta diskutuar një transferim eventual të përfaqësuesit kosovar në klubin italian.

Fenerbahçe nuk po planifikon ta shesë Vedatin, por një ofertë e majme prej 25-30 milionë eurosh mund ta ndryshojë skenarin.

Muriqi është bërë objektiv i klubeve angleze, Tottenham e Manchester United, por atë e pëlqejnë edhe Atletico Madridi në Spanjë, por edhe Interi e Lazio në Itali.

Muriqi i kishte realizuar 17 gola sezonin e kaluar për Rizesporin, kurse këtë verë iu bashkua gjigantit nga Stambolli, me të cilin i ka zhvilluar 8 ndeshje duke realizuar 4 gola dhe duke e dhuruar një asistim.

25 vjeçari bëri paraqitje mbresëlënëse edhe me Përfaqësuesen e Kosovës, me të cilën shënoi tre gola në tri ndeshje të zhvilluara në muajt shtator e tetor, ndaj Republikës Çeke, Anglisë dhe Malit të Zi

(Kosova Sot Online)