Çfarë rezultati i duhet sot Kosovës kundër Çekisë për EURO 2020

  • 14 November 2019 - 08:34
Çfarë rezultati i duhet sot Kosovës kundër Çekisë për EURO 2020

Kosova sonte synon barazim ose fitore në Çeki për ta mbajtur gjallë ëndrrën për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A. Por, çfarë rezultate i duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit për ta bërë këtë ëndërr realitet?

Fitorja befasuese e Republikës Çeke kundër Anglisë në tetor ia vështirësoi Kosovës kampanjën kualifikuese për Kampionatin Evropian. Megjithatë “Dardanët” ende mund të shpresojnë për një vend në EURO 2020, 

Kosova për momentin radhitet në pozitën e tretë, me një pikë më pak sesa Çekia që është në pozitën e dytë. Ndeshja që do të zhvillohet sonte mes këtyre dy Kombëtareve, në orën 20:45 në Doosan Arena, do të jetë vendimtare për fatin e dy skuadrave.

Kosova duhet të ngrihet të paktën në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A për ta arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve.

Më poshtë mund t’i lexoni rezultatet që i duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe Anglisë, për ta siguruar kualifikimin.

– Kosova eliminohet nëse humb kundër Republikës Çeke.

– Nëse Kosova e mposht Çekinë, atëherë mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati i ndeshjes Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i duhej të paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë kundër Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht rezultatit kundër Anglisë).

– Nëse Kosova barazon kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të humbë kundër Bullgarisë.

– Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të Ligës së Kombeve.

Si qëndron situata për Kombëtaret e tjera në Grupin A?

– Anglia do të kualifikohet me barazim kundër Malit të Zi, ose nëse Kosova humb kundër Çekisë; e ka një vend të garantuar në play-offs nëse është e nevojshme, si fitues i Grupit A4 të Ligës së Kombeve.

– Republika Çeke do të kualifikohet nëse fiton kundër Kosovës.

– Mali i Zi nuk mund të kualifikohet më në Kampionatin Evropian.

-Bullgaria nuk mund të kualifikohet më në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve; për momentin e ka një vend në play-offs kualifikues.

Kosova mund të ëndërrojë për EURO 2020 edhe nëse pëson disfatë sonte në Çeki, pasi që e ka një vend të siguruar në play-offs për kualifikim në Evropian.

Play-offs do të zhvillohen përmes gjysmëfinaleve dhe një finale. Kosova do të përballet në gjysmëfinale me Maqedoninë e Veriut, që luan si vendase. Nëse fiton, në finale e pret Gjeorgjia ose Bjellorusia. 

(Kosova Sot Online )