Foto: Pritja fantastike për anglezët, qysh nga aeroporti i Prishtinës

  • 15 November 2019 - 14:56
Foto: Pritja fantastike për anglezët, qysh nga aeroporti i Prishtinës

Tifozët dhe lojtarët anglezë që do të vijnë gjatë ditëve vijuese në Prishtinë për ta përcjellë Kombëtaren e tyre në “Fadil Vokrri” do të mirëpriten qysh nga momenti kur hyjnë në aeroportin e Prishtinës.

Slogani “Ëelcome & Respect” është shpërndarë nëpër pankarta në Prishtinë në shenjë mikpritjeje për anglezët, Kombëtarja e së cilëve do të luajë kundër Kosovës të dielën në orën 18:00 në “Fadil Vokrri”.

Ky slogan, që në shqip do të thotë “Mirësevini & Respekt”, e mban edhe një lulëkuqe, që është simbol i anglezëve për ta shprehur mirënjohjen për dëshmorët dhe ushtarët e vendit. Lulëkuqen anglezët e përdorin si simbol për përkujtimin e të rënëve, por edhe si shpresë për një të ardhme paqësore.

Pikërisht slogani me këtë lulëkuqe do t’i presë tifozët dhe lojtarët e Anglisë qysh në aeroportin e Prishtinës, përderisa në kryeqytet janë bërë edhe përgatitje të tjera për t’i mirëpritur ata.

Vlera e kësaj ndeshjeje të së dielës ka rënë për Kosovën pas humbjes të së enjten në Çeki, pasi që tani “Dardanët” e kanë të pamundur të kualifikohen në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A.

Në anën tjetër, Anglia e ka siguruar kualifikimin, mirëpo i duhet fitorja për t’u siguruar që është fituese e grupit. Nëse e kalon grupin si fituese, Anglia ka më shumë gjasa të përballet me Kombëtare më të dobëta në letër në fazën e grupeve të Evropianit.

(Kosova Sot Online)