UEFA propozon ndryshimin e ligjeve për prekjet e topit me dorë dhe pozitat jashtë loje

  • 04 December 2019 - 13:12
UEFA propozon ndryshimin e ligjeve për prekjet e topit me dorë dhe pozitat jashtë loje

UEFA do t’u kërkojë ligjvënësve në botën e futbollit të sjellin udhëzime të reja për rregullin e prekjes së topit me dorë dhe për pozitën jashtë loje në mënyrë që përdorimi i VAR-i të bëhet edhe më i qartë. Lajmin e ka konfirmuar vetë presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.

Lojtarët, trajnerët dhe tifozët e kanë kritikuar mënyrën e implementimit të teknologjisë VAR që kur ka filluar të përdoret në këtë sezon, 2019/20, të Premierligës.

Më së shumti vëmendje kanë marrë vendimet për t’i anuluar golat për rastet kur ndonjë pozitë jashtë loje ka qenë shumë vështirë e dallueshme, edhe përmes VAR-it. Megjithatë, edhe incidente të tjera kanë ngjallur kritika disa herë.

Presidenti i UEFA-s, Ceferin, ka thënë se ai e kupton arsyen pse tifozët janë të zemëruar dhe ka thënë se do ta dërgojë këtë problem te Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit, organi përgjegjës për Ligjet e Futbollit.

“Nëse e ke hundën e gjatë, këto ditë ti je në pozitë jashtë loje. Gjithashtu, vijat vizatohen nga VAR-i, kështu që është një vizatim subjektiv i kritereve objektive”, ka thënë Ceferin, në një intervistë të dhënë për Mirror.

“Kështu që propozimi ynë është që të ketë tolerancë për 10-20 centimetra. Së dyti, ne i patëm top-trajnerët në UEFA para dy javëve, në Nion të Zvicrës. I patëm Jurgen Kloppin, Pep Guardiolan, Massimiliano Allegrin, Carlo Ancelottin, Zinedine Zidanen”.

“Të gjithë trajnerët e ekipeve evropiane ishin aty dhe zyrtari i gjyqtarëve, Roberto Rossetti, ua tregoi atyre disa pamje të një prekjeje të topit me dorë dhe i pyeti se sa duhet të penalizohej lojtari për atë prekje me dorë apo jo. Gjysma e dhomës thanë po, gjysma jo”.

“Kështu që rregullat nuk janë shumë të qarta. Ne nuk dimë asgjë!”

Ceferini e pranoi se ai nuk është tifoz i madh i VAR-it, por e konfirmoi se kjo teknologji do të përdoret në EURO 2020.

“Shikoni, ne thjesht duhet ta përdorim sepse skuadrat do të ankoheshin kur të bëheshin gabime në dëm të tyre”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)