Kritika të ashpra për zgjedhjen e fitueses së Topit të Artë

  • 06 December 2019 - 12:53
Kritika të ashpra për zgjedhjen e fitueses së Topit të Artë

Të hënën, përveç Lionel Messit, fituese e Topit të Artë ishte edhe Megan Rapinoe e cila u bë e famshme veçanërisht këtë verë gjatë triumfit në Kupën e Botës në Francë me ekipin kombëtar të vajzave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

France Football që e ka prezantuar Topin e Artë që nga viti 1956 vendosi vetëm vitin e kaluar ta ndajë këtë çmim edhe për konkurrencën e vajzave.

Ada Hegerberg ishte fituesja e parë e Topit të Artë për vasha vitin e kaluar. Ajo që ndodhi pasi ajo e pranoi Topin e Artë ngjalli një debat të madh, pasi që prezantuesi i kishte kërkuar asaj të kërcente në stili “twerking”.

Ndërsa, këtë vit është ngritur një debat edhe më i madh lidhur ne vendimin për Topin e Artë në kategorinë e vashave këtë vit, pasi që fituese u shpall Megan Rapinoe.

“Ne të gjithë e dimë se trofetë individuale janë gara të popullaritetit, mirëpo ajo që ndodhi me Topin e Artë të vashave është thjesht revoltuese”, shkruan Visao de Mercado.

“Megan Rapinoe, që e fitoi edhe çmimin si më e mira nga FIFA – e famshme për aktivizmin e saj për barazi gjinore dhe si ikonë e komunitetit LGBT – ka luajtur vetëm 339 minuta në vetëm gjashtë ndeshje për klubin e saj, Seattle Reign FC, gjatë vitit 2019, duke regjistruar 0 gola dhe 0 asiste dhe u eliminua në gjysmëfinale pasi që e mbylli sezonin e rregullt në vendin e katërt”.

“Mund të argumentohet se gazetarët vendosën se paraqitjet e saja në Kupën e Botës ishin të mjaftueshme që ajo ta fitonte këtë çmim. Ajo ishte golashënuesja më e mirë e turneut (bashkë me Ellen White të Anglisë dhe Alex Morgan të SHBA-së) më gjashtë gola, edhe pse tri u shënuan nga pika e penalltisë dhe një tjetër erdhi në fitoren me rezultat 13:0 kundër Tajlandës amatore”.

“Në fakt, Rapinoe luajti rol të rëndësishëm vetëm në çerekfinale, kur i shënoi dy gola që ia dhanë SHBA-së fitoren kundër Francës”.

“Alex Morgan ishte e treta në garën për Topin e Artë dhe ajo e pati një sezon të ngjashëm. Sulmuesja e Orlando Pride luajti në 6 ndeshje, gjithsej 395 minuta, dhe nuk arriti të shënojë apo të asistojë. Ajo madje s’ishte aq mbresëlënëse as në Kupën e Botës”.

“Nga gjashtë golat që e bënë atë ndër golashënueset më të mira të turneut, pesë prej tyre erdhën në fitoren me rezultat 13:0 kundër Tajlandës. Sam Mewis dhe Rose Lavelle ishin më të mira sesa ajo”.

“Gazetarët votuan pa e pasur idenë se çfarë po votojnë. Ka lojtare shumë më të mira që shkëlqyen, si 23-vjeçarja Vivianne Miedema, e cila i shënoi 49 gola në 47 ndeshje, e cila ishte golashënuesja më e mirë, asistuesja më e mirë dhe fituese e Premierligës me Arsenalin dhe për momentin është golashënuesja më e mirë në Ligën e Kampionëve, si dhe ishte nënkampione me Holandën në Kupën e Botës”. 

“Ada Hegerberg, e cila e fitoi këtë çmim në vitin 2018, i ka shënuar 30 gola në 31 ndeshje gjatë vitit 2019 dhe ka fituar gjithçka me Lyonin – Ligue, Superkupën franceze, Superkupën evropiane dhe Ligën e Kampionëve, ku shënoi het-trik në finale”.

(Kosova Sot Online)