Joshua zbulon se çfarë i pëshpëriti në vesh Ruizit në ring, pasi e rrahu
Anthony Joshua ka treguar se i kishte thënë Andy Ruizit të mos dorëzohej kurrë, pas triumfit ndaj tij në rimeçin për kampion bote të shtunën në Arabinë Saudite.
Ruiz u mposht bindshëm me poenta pas 12 rundeve nga Joshua, plot gjashtë muaj pasi e tronditi botën e boksit duke e mundur britanikun me nokaut në Nju Jork.
Gjyqtarët votuan unanimisht për Joshuan, i cili tani është dy herë kampion bote në kategorinë e rëndë.
Menjëherë pas meçit, 30-vjeçari u pa duke i pëshpëritur në vesh meksikanit dhe tani ka zbuluar se çfarë i kishte thënë.
“Unë i thashë atij: ‘kurrë mos u dorëzo. Është e vështirë. Je njeri i madh mbi të gjitha. Je kampion i madh, po ashtu’”, zbuloi Joshua.
Joshua shtoi: “Po ashtu, i thashë të mos heq dorë kurrë dhe ta ndjekë ëndrrën dhe se boksi është i vështirë. Ai e ka krijuar historinë e vet, trashëgiminë e vet”.
“Unë e kam krijuar timen sonte dhe jam i lumtur që të dy kemi mundur të luajmë rol në trashëgiminë e njëri-tjetrit. E përkëdhela në shpinë dhe i thashë se jam i sigurt se do të shihemi prapë”, zbuloi Joshua.
(Kosova Sot Online)