Flick e di se do të shkarkohet nëse Bayerni s’e mund Tottenhamin e Mourinhos

  • 10 December 2019 - 19:40
Flick e di se do të shkarkohet nëse Bayerni s’e mund Tottenhamin e Mourinhos

Hansi Flick e ka pranuar se është duke luftuar për të ardhmen në Bayern Munich, në përpjekje për t’i bindur drejtuesit për ta mbajtur në pozitën e trajnerit.

Trajneri në detyrë i Bayernit, i emëruar pas shkarkimit të Niko Kovac në nëntor, mund ta drejtojë ekipin e parë deri në fund të këtij sezoni.

Por për ta ruajtur pozitën, Flick duhet t’i bindë drejtuesit nesër kundër Tottenhamit në Ligën e Kampionëve.

Pasi e nisi punën me katër fitore mbresëlënëse, Bayerni i Flick i humbi dy ndeshjet e fundit në Bundesligë dhe përballet me Tottenhamin në ndeshjen e fundit në grup të mërkurën.

Flick e di se rezultatet janë të rëndësishme.

“Natyrisht, nëse dua të qëndroj duhet t’i fitoj dy ndeshjet e ardhshme. Por unë dua t’i fitoj katër ndeshjet e ardhshme, në një mënyrë apo tjetër”, tha Flick.

“Kanë mbetur edhe katër ndeshje (deri në pushimin dimëror), prandaj çdo gjë është e mundur. Do të flas me zyrtarët ( e Bayern), pas ndeshjes me Wolfsburg, e cila është e fundit para Krishtlindjes”, theksoi ai. 


(Kosova Sot Online)