Barça me Messi, Suarez e Griezmann, Reali me Bale e Benzema

  • 18 December 2019 - 18:40
Barça me Messi, Suarez e Griezmann, Reali me Bale e Benzema

Real Madridi e viziton sonte Barcelonën për derbin më të madh në futboll, El Clasico, ku do të përballen dy skuadrat e para në tabelën e La Ligës. Kjo ndeshje duhej të ishte zhvilluar në tetor, por ishte shtyrë për shkak të protestave të dhunshme në Katalonjë.

Stadiumi më i madh në Evropë, Camp Nou, do të jetë sonte skena e njërës prej përballjeve më interesante në botën e futbollit – El Clasico mes Barcelonës dhe Real Madridit, që do të nisë në orën 20:00.

Që të dyja skuadrat i kanë nga 35 pikë pas 16 xhirove të para, por Barcelona e mban kreun e La Ligës shkaku i dallimit në gola, tani që po i afrohemi fundit të gjysmës së parë të sezonit 2019/20.

Barcelona dhe Real Madridi gjithashtu kanë arritur të kualifikohen në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve dhe ndeshje të vështira do t’i presin këto dy gjigante të Spanjës gjatë shkurtit.

Kur këto dy skuadra takohen, gjithmonë ka tensione – si në fushën e lojës, ashtu edhe në tribuna – duke u bërë kështu e njohur si ndër rivalitetet më të mira në botë. Ky rivalitet pritet të jetë edhe më i zjarrtë sonte për shkak se dy skuadrat do të tentojnë ta marrin kreun e ligës, si dhe për shkak të tensioneve dhe protestave politike.

Ernesto Valverde ka vendosur të luajë me Lionel Messin, Luis Suarezin dhe Antoine Griezmannin në sulm.

Ndërkohë, rivali i tij Zinedine Zidane, sulmin ia beson Gareth Bale dhe Karim Benzema.


(Kosova Sot Online)