Mourinho: Gjithmonë do ta dua Lampardin, por i uroj humbje

  • 21 December 2019 - 09:21
Mourinho: Gjithmonë do ta dua Lampardin, por i uroj humbje

Jose Mourinho thotë se e do Frank Lampardin, mirëpo i uron atij humbje të dielën, kur Chelsea do ta vizitojë Tottenhamin në një ndeshje të rëndësishme për radhitjen në top katërshe të Anglisë.

Frank Lampard i kishte fituar dy tituj të Premierligës si lojtar i Chelseat nën Jose Mourinhon si trajner, duke u bërë i njohur edhe si njëri ndër mesfushorët më të mirë i të gjitha kohëve në futbollin anglez, transmeton Gazeta Express.

Pasi i dha fund karrierës së tij si futbollist në vitin 2017, Lampardi e nisi karrierën si trajner dhe këtë sezon është kthyer te ish-klubi i tij, Chelsea, ku i ka fituar 13 nga ndeshjet e tij të para si trajner në Stamford Bridge.

Të dielën, Lampardi dhe skuadra e tij do të përballen me Tottenhamin e drejtuar nga ish-trajneri i Chelseat, Jose Mourinho, i cili e mori drejtimin e Tottenhamit pas shkarkimit të Mauricio Pochettinos nga klubi.

Kur u pyet se a do ta ftojë trajnerin e Chelsea për një pije pas ndeshjes, Mourinho tha: “Nuk besoj se do ta bëj pasi që stadiumi ynë është i ndërtuar në atë mënyrë që zyrat tona janë plotësisht brenda zonës private”.

“Deri më tani nuk e kam ftuar asnjë trajner të vijë aty dhe nuk mendoj se do ta bëj as me Frankun. Por, siç kam thënë edhe më parë, një përqafim të madh para ndeshjes dhe një tjetër pas ndeshjes, kjo është e sigurt, pavarësisht rezultatit dhe kush është i lumtur”.

“Mendoj se ndjenjat e tona do të jenë për përgjithmonë. Gjithmonë do t’i jem mirënjohës për gjithçka që më dha si lojtar. Asgjë s’mund ta ndryshojë këtë. E dua atë djalosh, gjithmonë do ta dua. Shpresoj se ai do të humbë të dielën. Unë humba kundër Frankut vitin e kaluar”.

(Kosova Sot Online )