Gerrard: Triumfi i Liverpoolit në Premierligë do të ma kalonte dhimbjen e rrëshqitjes së famshme

  • 09 janar 2020 - 14:48
Gerrard: Triumfi i Liverpoolit në Premierligë do të ma kalonte dhimbjen e rrëshqitjes së famshme

Steven Gerrard beson se nëse Liverpooli arrin ta fitojë titullin e kampionit të Premierligës këtë vit, ai do të ketë mundësi ta kalojë dhimbjen që ia ka shkaktuar rrëshqitja e tij e famshme në ndeshjen kundër Chelseat në vitin 2014.

Në vitin 2014, Steven Gerrard kishte qenë shumë afër ta fitojë titullin e parë të Premierligës në karrierën e tij. Megjithatë, këtë mundësi e humbi pasi rrëshqiti dhe topi shkoi te këmbët e Demba Ba, i cili arriti të shënojë gol për Chelsean.

Ky gol i shënuar nga Demba Ba bëri që Liverpooli ta humbte ndeshjen dhe bëri që në në fund titulli t’i takojë Manchester Cityt.

Në një intervistë të mëhershme për Dailymail, Gerrard kishte bërë të ditur se ai kishte pasur probleme me shpinë dhe para ndeshjes ishte detyruar ta merrte një injeksion për t’ia ndaluar dhimbjet, pasi që përndryshe do ta kishte humbur ndeshjen.

Megjithatë, tani që tifozët e Liverpoolit janë të bindur se do t’i japin fund ecurisë prej 30 vjetësh pa titull të Premierligës, ish-mesfushori legjendar Gerrard shpreson se kjo ëndërr do të bëhet realitet, pasi që edhe do t’i ndihmojë ta kalojë më në fund dhimbjen e shkaktuar nga ajo rrëshqitje e famshme.

“Mendoj për atë incident shumicën e kohës. Pa dyshim që do të më ndihmonte shumë nëse Liverpooli do ta fitonte titullin”, u shpreh Gerrard, në një intervistë të dhënë për The Greatest Game ëith Jamie Carragher.

“Kur e analizoj atë plotësisht, unë natyrisht e kuptoj se nuk ishte vetëm diçka e momentit [që i kushtoi Liverpoolit me titull], mirëpo kur kthehem prapa dhe mendoj për të kaluarën, prapëseprapë ndiej se është faji im”.

“Mendoj se triumfi në ligë do të ndikonte në këtë. Mendoj se në këtë gjë mund të më ndihmojë edhe suksesi im si trajner me Rangers. Ai moment ishte edhe më i vështirë sesa që e imagjinojnë njerëzit. Ishte i vetmi moment në karrierën time 20-vjeçare që u ndjeva i mpirë”.

Anglezi kishte luajtur për Liverpoolin për plot 17 sezone, nga viti 1998 deri në vitin 2015, mirëpo ai asnjëherë nuk arriti ta fitojë titullin e Premierligës. 

(Kosova Sot Online)