Klopp mezi po pret ta mirëpresë Ingsin në Anfield

  • 01 February 2020 - 09:04
Klopp mezi po pret ta mirëpresë Ingsin në Anfield

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, mezi po e pret mundësinë për t’u takuar sërish me ish-sulmuesin e Liverpoolit, Danny Ings, kur Southamtoni ta vizitojë Anfieldin të shtunën për ndeshjen e Premierligës.

Karriera e Danny Ings në Anfield ishte dëmtuar nga lëndimet e shumta dhe ai preferoi ta nisë një sfidë të re në gusht të vitit 2018 kur u transferua në formë huazimi në Southamton, para se ta bënte këtë transferim permanent në fund të sezonit të kaluar.

Transferimi i Ings i ka sjellë përfitime Southamptonit, pasi që 27-vjeçari i ka shënuar 14 gola në 24 ndeshje të zhvilluara gjatë këtij sezoni 2019/20, duke i ndihmuar skuadrës së Ralph Hasenhuttl të ngrihet në tabela, përderisa edhe mund ta fitojë një ftesë nga Kombëtarja e Anglisë.

Kloppi pati lëvdata të mëdha për Ingsin para ndeshjes, mirëpo ai shpreson se sulmuesi do të qëndrojë i heshtur këtë fundjavë, pasi që Liverpooli po i shkon më afër titullit të parë si kampion i Anglisë në 30 vjet.

“Të gjithë këtu janë shumë të lumtur me situatën e Dannyt, ai është ende djaloshi ynë. Ne i festojmë golat që ai i shënon, edhe pse nesër do të jetë ndryshe. Përveç ndeshjeve kundër neve, ne ia urojmë atij më të mirat. Ai është person i mrekullueshëm”, ka thënë Klopp.

“Ai nuk pati mjaftueshëm kohë lojë këtu për disa arsye të mira dhe vendimi që ai e mori për të shkuar në Southampton ishte i përsosur. Ai pati nevojë për kohë për ta kthyer ritmin dhe tani ai është në superformë, pak si e gjithë skuadra e tyre”.

“Ne jemi të lumtur që do ta shohin atë nesër, ia urojmë atij sezonit më të mirë të jetës së tij, por natyrisht që jo për nesër”.

(Kosova Sot Online )