Gerrard, i lumtur me transferimin e Florian Kamberit

  • 01 February 2020 - 12:02
Gerrard, i lumtur me transferimin e Florian Kamberit

Sulmuesi me origjinë shqiptare Florian Kamberi e kompletoi dje transferimin e tij të ëndrrave nga Hibernian në Rangers në formë huazimi deri në fund të këtij sezoni. I lumtur me këtë transferim është shprehur edhe trajneri i Rangers, Steven Gerrard.

Rangers i drejtuar nga legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, ishte në kërkim të një sulmuesi gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi që Jermain Defoe e pësoi një lëndim që do ta mbajë atë jashtë skuadrës për rreth pesë javë.

Kamberi, 24-vjeçar, i kishte shënuar 20 gola në 65 ndeshjet e zhvilluara gjatë dy periudhave në të cilat ka luajtur në Easter Road për Hibernian, pas transferimit nga Grasshopers.

“Jam shumë i ngazëllyer. Që kur erdha në Skoci ka qenë një ëndërr për mua, që të transferohem te Rangers. Kjo ka ndodhur sot, kështu që jam shumë, shumë i lumtur. Për mua, në “Ibrox” është atmosfera më e mirë, në të cilën kam luajtur ndonjëherë”, ka thënë Kamberi.

“Ndeshja ime e dytë për Hibernian ishte kundër Rangers në “Ibrox” dhe pas lojës i thashë agjentit tim: vepro menjëherë, ëndrra ime është të luaj në këtë stadium, para këtyre tifozëve, që janë më të mirët në botë. Mbështetja e tyre është e jashtëzakonshme”.

Ndërkohë, i kënaqur me këtë transferim është shprehur edhe trajneri Steven Gerrard, duke e cilësuar atë si sulmues të kompletuar dhe si golashënues.

“Ne jemi të lumtur që kemi siguruar marrëveshjen me Florianin. E mirëpresim te Rangers. E kemi studiuar për ca kohë dhe e dimë se çfarë mund t’i sjellë grupit. Ai është një sulmues i kompletuar dhe golashënues. Besojmë se do të jetë në gjendje të kontribuojë në mënyrë pozitive në atë që ne duam të arrijmë këtë sezon” – është shprehur anglezi për “Rangers Tv”.

(Kosova Sot Online)